E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbja e zgjedhjeve, kryeministri dhe Lulzim Basha tek Presidenti Nishani

TIRANE - Demokratët u mblodhën sërish dje para selisë së PD-së, por më të zhgënjyer se një ditë më parë. Më të paktë në numër gjatë gjithë ditës, ndërsa u shtuan mbrëmë kur u fol se në seli do të mbërrinte lideri Sali Berisha. Por Berisha axhendën e ditës dje e nisi me një takim në Presidencë me kreun e shtetit, Bujar Nishani dhe fill pas tij edhe kryebashkiaku Lulzim Basha mbërriti në zyrën e Presidentit. Ende nuk dihet saktësisht se çfarë është biseduar mes tyre, ndërkohë që takimet janë zhvilluar veçmas me presidentin Bujar Nishani.

Por pavarësisht enigmave, demokratët presin vajtjen e Berishës në seli për t’i “gjallëruar” qoftë dhe sadopak nga befasia e humbjes së 23 qershorit. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, prej datës 23 qershor nuk ka qenë në selinë e PD-së. Pas daljes për shtyp pak para përfundimit të votimit ditën e zgjedhjeve, Berisha u shpreh se do të njohë çdo rezultat që ka vendosur sovrani, populli.

Pas kësaj në seli është shfaqur zëdhënësja, Majlinda Bregu, që komunikoi me shtypin dhe ku një herë të vetme shpalli dhe fitoren e PD-së në mbarë vendin. Në daljet e tjera Bregu e Bogdani nuk komentuan më rezultatet, por kërkuan numërim korrekt të votave.

Por selia e PD-së vazhdon të qëndrojë në heshtje, ndërkohë që në mbrëmje mbërritën sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode, nënkryetari Astrit Patozi dhe sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka.

Prania e një prej shoqëruesve të kryeministrit në selinë e PD-së në orët e mbrëmjes dhe lajmi se do të vinte Berisha rimblodhi militantët, por vetëm për pak kohë, derisa u dha lajmi tjetër, se kreu i PD-së do të vijë nesër (sot) në seli. Në këtë mënyrë demokratët u shpërndanë në heshtje në shtëpitë e tyre, për të ardhur sërish sot ashtu si tri ditë me radhë, por për të parë nga afër ardhjen e Berishës në seli dhe për të ndjekur bashkë me gazetarët edhe qëndrimin zyrtar pas shpalljes së rezultatit final të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Pas 8 vitesh në pushtet, demokratët kalojnë në opozitë, duke pësuar këtë herë një zhgënjim të madh, për shkak të diferencës së madhe të rezultateve në mbarë vendin.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›