E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbja zgjon Milanin nga gjumi, përgatiten tri blerje

Humbja ndaj një rivali modest si Verona ka shkundur jo pak klubin e Milanit. Një lojë tepër e dobët, futbollistë që nuk koordinoheshin në fushë dhe një mbrojtje që la shumë për të dëshiruar. Adriano Galiani është munduar që të “luajë” gjatë merkatos së verës, në mënyrë që të ulë edhe çmimet e futbollistëve që synon për të afruar.

Por, disfata në javën e parë të kampionatit ishte mjaftueshëm alarmuese për të vënë në lëvizje administratorin e deleguar të “Djallit”. Ai ka nisur menjëherë nga puna për të zyrtarizuar afrimet dhe për t’i vënë në dispozicion të Alegrit. Në fakt, janë gati tri përforcime, njëri në mbrojtje dhe dy të tjerë për mesfushën.

David Astori pritet të vishet kuqezi brenda tri ditëve të ardhshme, pasi Milani e kishte arritur një akord paraprak me Kaljarin. Paraqitja tepër e dobët e repartit defensiv kundër Veronës bëri që të kërkohet me ngulm mbrojtësi i qendrës, i cili mund të formojë dyshen me Meksesin (Zapata ka zhgënjyer).

Ndërkohë, në mesfushë do të blihen të dy futbollistët e përfolur, Keisuke Honda dhe Adem Ljajiç. Lojtarët kanë shprehur hapur dëshirën për të qenë pjesë e “Djallit” dhe në fakt si CSKA-ja e Moskës, ashtu edhe Fiorentina janë dorëzuar, duke qenë të hapura për të pranuar ofertën në tavolinë të Galianit./indeksonline/ 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›