E Diel, 1 Nëntor 2026

Humor nga Kamza- Bashkia njofton festën madhështore të 45-vjetorit të Xhelal Mziut!

Share

Tashmë është bërë rrugë. Pas kryetares së Kuvendit, që e përdorte faqen online të këtij institucioni edhe për festa dhe ngjarje private, të njëtën gjë ka bërë edhe Xhelal Mziu me faqen zyrtare të Bashkisë së Kamzës. Është rast i rrallë në botë, që një kryebashkiak njofton se ka festuar ditëlindjen e tij, pikërisht në faqen e institucionit që drejton.

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, festoi 45-vjetorin e lindjes, i rrethuar nga familjarë, miq e bashkëpunëtorë të shumtë. Në praninë e familjarëve, stafit të bashkisë, drejtuesve të shkollave të Kamzës si dhe biznesmenëve të shumtë, në një nga lokalet më luksoze, për kryebashkiakun Mziu kjo ishte një nga festat më të bukura të ditëlindjes së tij.

Me rastin e 45-vjetorit të tij ai ka marrë urime të shumta. Me disa buqeta me lule, familjarët, stafi i bashkisë, miqtë dhe të afërmit kanë uruar kreun e bashkisë, Mziu, ndërsa dreka e organizuar ka kaluar në një atmosferë mjaft festive. Urime të përzemërta ai ka marrë edhe nga funksionarë të lartë të institucioneve qendrore e vendore, si dhe nga përfaqësues diplomatikë në Tiranë, me të cilët ka lidhje dhe bashkëpunim të ngushtë.

Bashkë me urimet, ata shprehën kënaqësinë që po festonin ditëlindjen e 45-të të një intelektuali të shquar e vizionar, i cili, i përkushtuar maksimalisht për shndërrimin e Kamzës në një qytet modern, duke e drejtuar me kompetencë e profesionalizëm Bashkinë Kamëz, e ka bërë atë ndër bashkitë më konkurruese në shkallë vendi.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Mziu falënderoi pjesëmarrësit në këtë eveniment të rëndësishëm të jetës së tij për urimet e tyre të sinqerta, duke i siguruar se në axhendën e tij do të jenë gjithmonë projektet zhvillimore për Kamzën, për ta bërë atë një qytet modern të standardeve evropiane.

Ky është njoftimi i Bashkisë së Kamzës, që gjendet në adresën e kësaj bashkie, për këtë rast. Gallatë e madhe!

http://www.kamza.gov.al/online/index.php/shebime/artikuj/585-kryetari-i-bashkise-kamez-z-xhelal-mziu-festoi-45-vjetorin-e-ditelindjes.html

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›