E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hungaria dhe Çekia kundër sistemit të përbashkët fiskal

Hungaria dhe Republika Ceke shprehen dyshimet e tyre në lidhje me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë për një sistem fiskal më të unifikuar të vendeve të Bashkimit Europian.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban deklaroi se vendi i tij nuk dëshiron të bashkohet në asnjë nismë që harmonizon sistemin fiskal dhe taksat në Bashkimin Europian. Ai tha se harmonizimi i sistemit fiskal mund të bëhet vetëm ndërmjet vendeve të eurozonës.
 

Ndërkohë, kryeministri cek, Petr Necas, që ndodhet për një vizitë në Budapest, tha se aplikimi i një sistemi fiskal të përbashkët në të gjithë BE-në, nuk do të ishte gjë e mirë për Cekinë dhe as për Hungarinë.
 

Harmonizimi i sistemit fiskal në gjithë BE-në, u propozua nga Gjermania dhe Franca në samitin e mbajtur në Bruksel pak ditë më parë. Por propozimi i dy vendeve më të mëdha të eurozonës, nuk u firmos nga Britania e Madhe, e cila i vuri veto edhe kërkesës për ndryshimin e traktateve të unionit. Ndërkohë që 9 vendet e tjera, jo anëtare të zonës euro, deklaruan se do të lënë kuvendet përkatëse për të vendosur nëse do t `i bashkohen ose jo kësaj nisme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›