Rusia shpërndan draftin e ri të OKB-së për Sirinë

Rusia u ka shpërndarë edhe 14 vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara draftin e rezolutës së re, e cila synon rritjen e presionit ndaj regjimit sirian, për të ndërmarrë veprime dhe ndaluar gjakderdhjen në vend.
Raportet thonë se ndërsa të dërguarit nga vendet perëndimore e shohin tekstin rus si jo shumë të fuqishëm ndaj regjimit sirian, ata gjithashtu janë të gatshëm të negociojnë me Moskën rreth një marrëveshjeje që do të çonte në rezolutën e parë të detyrueshme të Këshillit të Sigurimit ndaj goditjeve të regjimit sirian kundër protestuesve.
Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin tha se teksti kërkonte që t`i jepej fund dhunës atje dhe se OKB-ja vlerëson se më shumë se 5000 njerëz janë vrarë në Siri gjatë nëntë muajve të kaluar. Ai gjithashtu tregoi se në tekst nuk përmenden sanksionet.
Ndërkohë, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton tha se Uashingtoni shpreson të mund të punojë me Rusinë rreth këtij draft rezolute. Edhe pse SHBA nuk pajtohet plotësisht me Moskën rreth propozimit aktual, ajo tha se është hera e parë që Rusia pranon që dhuna në Siri duhet të ndalohet nga Këshilli i Sigurimit.