E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungaria kryeson sulmin ndaj medias se lire

Reporterët pa kufi: BE ka bërë hapa mbrapa që pas 11 shtatorit

Krijimi i një autoriteti të ri mediatik me pushtet për të sanksionuar të gjitha produktet mediatike të Hungarisë është shenja e fundit e një tendence që ka përfshirë shumë vende brenda Bashkimit Europian. Ky është vlerësimi i organizatës “Reporterët pa kufij” me bazë në Paris. “Është një problem gjithnjë e në rritje në Europë në këtë moment. Nuk ka asnjë vend anëtar të organizatës që të jetë duke ecur në drejtimin e duhur për sa i përket lirisë së shtypit”, ka deklaruar Olivier Basille shefi i organizatës në një intervistë të fundit. Sipas tij, që nga sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara në drejtim të lirisë së mediave janë bërë hapa prapa. Të martën, Parlamenti hungarez i mbizotëruar nga parlamentarët e forcës qeverisëse të qendrës së djathtë të partisë Fidesz aprovuan një ligj shumë të diskutueshëm mediatik që sipas kritikëve të tij do të shtrëngojë dhe kufizojë shumë lirinë e medias në shtetin e Europës Qendrore, i cili do të marrë edhe drejtimin e Bashkimit Europian në janarin e ardhshëm për periudhën e rotacionit gjashtëmujor. Ligji do të krijojë një autoritet mediatik i quajtur NMHH me pushtet për të vënë gjoba ndaj grupeve mediatike veprimtaria e të cilëve do të gjykohen e pabalancuar apo në kundërshtim me dinjitetin njerëzor. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë e ka kritikuar gjithashtu këtë hap të ndërmarrë nga ana e Parlamentit hungarez duke bërë të ditur se ky ligj “i jep një pushtet të paprecedentë për sa i përket përmbajtjes së mediave, autoritetit të ri mediatik”. Gazetarët dhe botuesit hungarezë janë të shqetësuar  se organizimi i ri drejtuesit e të cilit gjithashtu do të caktohen nga Kryeministri i vendit, do të detyrojë gazetarët që të tregojnë burimet e tyre në rastet që do të gjykohen si çështje të sigurisë kombëtare. “Ne nuk e dimë saktësisht se si do ta ndryshojë ky ligj situatën. Në këtë drejtim, një rëndësi të veçantë do të ketë interpretimi i ligjit, megjithatë deri më tani asgjë nuk është shumë e qartë”, ka bërë të ditur drejtori i “Reporterët pa kufij”. “Hungaria do të përfaqësojë Bashkimin Europian në botë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe cili do të jetë në këtë kontekst kredibilieti i një qeverie në rastin kur asaj do t’i duhet që të prononcohet në lidhje me regjime të tilla si ai i Zimbabvesë apo Bjellorusisë ku liria e shtypit nuk ekziston?”, ka vazhduar shefi i organizatës së reporterëve. Budapesti e ka mohuar faktin se ligji i ri ka të bëjë me reduktimin e lirive të medias. Sipas ministrit të jashtëm hungarez, i cili ka punuar vetë në epokën e komunizmit dhe në prill u shpall nga media si bashkëpunëtor i policisë sekrete hungareze tha se legjislacioni është në përputhje me standardet e BE-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›