Hungaria mbështet integrimin evropian të Shqipërisë

Kryeministri Berisha takon numrin 2 të qeverisë hungareze, Zsolt Semjen
“Hungaria do të vijojë ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha përpjekjet dhe hapat e mëtejshme të procesit të integrimit dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”. Kjo u theksua gjatë takimit që Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot me zëvendëskryeministrin e Hungarisë, Zsolt Semjen, i cili ndodhet për një vizitë në vendin tonë me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Mbretit Zog. Kryeministri Berisha e falenderoi mikun hungarez për këtë vizitë, e cila dëshmon edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve e qeverive, të cilat bazohen në një traditë të hershme përpjekjesh të të dy popujve, për liri dhe dinjitet.
Zëvendëskryeministri Zsolt Semjen e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli atij urimet më të përzemërta të Kryeministrit Orban dhe autoriteteve më të larta të Hungarisë, duke theksuar se është i lumtur që ndodhet sot në Shqipëri, në këtë vend mik të Hungarisë dhe popullit hungarez dhe se ndodhet këtu për një ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për kombin hungarez siç është riatdhesimi dhe nderimi i kujtimit të Mbretit Zog.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore mes dy vendeve, të cilat gjatë periudhës së fundit kanë parë zhvillime shumë të rëndësishme dhe u konfirmua angazhimi i të dy palëve për ti konsoliduar ato edhe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat.
Duke u ndalur tek ceremonia e riatdhesimit të eshtrave të Mbretit Zog, Berisha theksoi se, ky është një detyrim i të gjithë shqiptarëve dhe një akt që do të vendosë në piedestal të vërtetat historike të këtyre 100 viteve të historisë së shtetit shqiptar.
Gjatë 15 viteve të qenies së tij në pozicionet më të larta drejtuese shtetërore si ministër, kryeministër, president apo mbret i shqiptarëve, Ahmet Zogu ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe ka lënë një trashëgimi historike duke qëndruar gjithmonë në anën e drejtë.
Kryeministri u shpreh se, ndërtimi dhe konsolidimi i shtetit shqiptarë është i lidhur më shumë se çdo personalitet tjetër me figurën e Mbretit Zog. “Me integritetin dhe vizionin e tij prej burri shteti, Mbreti Zog hapi kufijtë e Shqipërisë duke bërë të mundur strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve të Evropës, të cilët gjetën strehë në familjet e shqiptarëve gjatë periudhës më të erret të historisë së kontinentit, asaj të Holokaustit. Në prill të 1939, Mbreti Zog e refuzoi ultimatumin e Musolinit dhe u largua pas okupimit të ushtrive të Musolinit, për t’i shpallur luftë pushtuesit nga Parisi. Gjatë gjithë periudhës së luftës, Mbreti Zog mbështeti me të gjitha forcat rezistencën antifashiste përfshirë edhe me njësi ushtarake luajale të oborrit mbretëror”- u shpreh ai. Gjithashtu Kryeministri Berisha u shpreh se, me riatdhesimin dhe nderimin që i bëjnë Mbretit Zog, shqiptarët i japin fund një falsifikimi të ulët të historisë nga ana e diktatorit Enver Hoxha, duke e bërë historinë e shtetit shqiptar më të vërtetë. Në takim u vlerësua gjithashtu figura e Mbretëreshës Geraldinë, e cila megjithëse qëndroi shumë pak në Shqipëri, ajo gjatë gjithë jetës së saj ushqeu një dashuri të thellë dhe të vërtetë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por njëkohësisht Mbretëresha Geraldinë, përben edhe një kurorë rrezatuese në trashëgimin e miqësisë tradicionale dhe marrëdhëniet e shkëlqyera, midis të dy popujve për të cilën shqiptarët dhe hungarezët do të ushqejnë përherë respekt dashuri dhe do ta kujtojnë me krenarinë që ajo meriton.