PS “fortifikon” bllokimin e integrimit
Seanca e djeshme plenare regjistroi një tjetër atentat të Partisë Socialiste ndaj procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në kohën kur Kuvendi i Shqipërisë diskutonte për 3 ligjet e mbetura, si një përpjekje për të bindur PS-në të heqë dorë nga radikalizmi politik - Parlamenti Evropian dhe kancelaritë perëndimore s’i kursyen kritikat ndaj opozitës, duke lëshuar apelin e radhës për miratimin e 3 kushteve brenda datës 19 nëntor
Fakti/Zhurma për “Fierin” i duhet Ramës edhe për spastrimet në PS
Partia Socialiste nuk ndryshon nga qëndrimi politik për të bllokuar me çdo kusht statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Edhe seanca e djeshme parlamentare ishte shëmbëlltyrë e asaj që jemi mësuar të shohim në këto 3 vite opozitarizëm të PS-së. Bojkoti dhe bllokimi janë pa dyshimin më të vogël, sfidat parimore të Edi Ramës dhe klientelës së tij drejtuese në PS, për të lënë Shqipërinë pa status. Krahas dy instrumenteve të njohur tashmë, bojkot + bllokim, Partia Socialiste nuk kursehet as në përdorimin e një gjuhe radikale, me synim ngritjen e tensioneve politike dhe shndërrimin e parlamentit në ring boksi. Por, as kjo nuk i mjafton PS-së për të realizuar synimet e veta, kryekëput anti-kombëtare. Apeli i ndërkombëtarëve, në kohën kur Gramoz Ruçi hidhej dhe përdridhej në foltoren e Kuvendit, për bllokimin e statusit, Parlamenti Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar në Tiranë, lëshuan apelin e radhës, duke adresuar një mori kritikash ndaj opozitës. Ndërsa, për të lehtësuar disi retorikën emocionale të PS-së, Brukseli vuri si kusht datën 19 nëntor, kohë kur parlamenti duhet të miratojë 3 ligjet e mbetura si Gjykata e Lartë, Rregullorja e Parlamentit dhe Nëpunësi Civil. Se cila do të jetë strategjia e radhës e opozitës, kjo mbetet për tu parë, por tensionet e krijuara në sallën e kuvendit, përmes retorikës së konfliktit, nxjerrin në pah disa të vërteta të hidhura për fatet politike të Partisë Socialiste.
Njëherazi, përmes këtij konflikti që Edi Rama ndez në parlament, në media dhe në çdo institucion tjetër ku opozita akseson sipas detyrimeve që i ngarkon ligji dhe votuesit shqiptarë, fshihen problemet e brendshme të Partisë Socialiste, të cilat jo për mburrje e as për shpërndarje paniku, po bëhen gjithnjë e më prezent në korridoret e selisë rozë, aq sa po shkohet drejt konfrontimeve fizike.
Epitete të tilla si “delfini”, “eksperti i trashësisë së xhamit”, “boksierë të droguar” etj,. të gjitha inspirime brenda grupit parlamentar socialist, përmes të cilave ligjvënësit opozitarë identifikojnë njëri-tjetrin, paralajmëron një atmosferë të acartë brenda PS-së. Kjo bëhet akoma edhe më e besueshme po t’i referohemi disa zhvillimeve brenda partisë së Ramës. Qëndrimet e kahershme të deputetit Arben Malaj kundër logjikës së bojkotit të ndjekur nga Edi Rama, ka marrë si kundërpërgjigje sulmet e ashpra të skifterëve pranë lidershipit socialist. Kastriot Islami i cili ashtu si dhe kolegu i tij, Malaj insistonte dhe vazhdon të insistojë për rikthimin e PS-së tek alternativat politike, si dobi kontributive jo vetëm për qytetarët, por edhe për faktorizimin e partisë më të madhe në opozitë, mori si “shpërblim” përjashtimin nga grupi parlamentar socialist... Si dhe, për të mbërritur tek...largimi i (pa)pritur i Andis Harasanit, i cili në një “akt proteste” apo jo, “dorëzoi” mandatin e deputetit, pas disa legjislaturave si anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Vlen të theksohet se edhe z.Harasani ka qenë një ndër zërat kritikë, bashkë me Islamin, Malajn dhe Marko Bellon (përfaqësues të ish-LMN-së), kundër strategjive të Edi Ramës pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës të shoqëruara me protesta, djegie gomash, mosbindje civile, greva urie e duke kulmuar me tentativën për grusht shteti në 21 janar të 2011-ës. Sot, në PS ka dy zëra më pak si shënjues të lidershipit socialist. Sigurisht që kjo favorizon fortifikimin e alternativës së bojkotit dhe bllokimit, por njëherazi nxjerr në pah problemet e vërteta brenda Partisë Socialiste. Kjo frymë konfliktuale brenda selisë rozë, po tentohet të përhapet edhe tek sfidat madhore të vendit siç janë integrimi në BE dhe përmirësimi i raporteve me institucionet perëndimore. Bllokimi i statusit të vendit kandidat deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare (qershor 2013-ë) i jep kohë të mjaftueshme Edi Ramës, për të kontrolluar dhe nënshtruar “bishtrat” në PS, hartuar listat e deputetëve pa krijuar zhurmë dhe padyshim, ia del të spastrojë forumet drejtuese nga ‘kundërshtarët’. Gjithçka në qetësi, pasi çështja e “Fierit” dhe “peng-marrja” e statusit të kandidatit (!), arrijnë të krijojnë trysninë e duhur, për të shmangur nga vëmendja e opinionit publik, luftën e madhe në PS. Prandaj, seanca e djeshme plenare s’mund të ishte kurrsesi “risi” në modernitetin politik të Partisë Socialiste, pasi nga fillimi deri në fund, Edi Rama me gojën e Gramoz Ruçit vodhi vrer kundër statusit të kandidatit, duke ushqyer fantazinë mediokre të një pjese ligjvënësish socialistë, trashëgimtarë të diktaturës hoxhiste. Veç se sot thirrjet janë “duam Fier, Roskovecin dhe Bubullimën” dhe jo “Integrimin”!
...