E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungaria paguan biletat e emigrantëve

Hungaria do t’i heq të gjitha shpenzimet e kthimit të emigrantëve kosovarë. Qysh nesër do të nis kthimi i qytetarëve të Kosovës të cilët janë zënë nga autoritetet hungareze duke e kaluar kufirin ilegalisht, e që sipas autoriteteve kosovare numri i tyre sillet rreth 4 mijë.

Përpjekja e autoriteteve që emigrantët të kthehen me autobus, ka dështuar, pasi që Serbia nuk lejon asnjë person të futet në territorin e saj pa dokumentet përkatëse.

Kështu që rruga e vetme është që të gjithë emigrantët të kthehen me aeroplan në Kosovë.

“Shpenzimet e udhëtimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga Hungaria i mbulon shteti i Hungarisë. Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, këtyre personave mund të ju ofroj vetëm transport për në komunën e tyre, në rast se nuk kanë të holla për të paguar udhëtimin, pasi konsiderohen raste urgjente dhe në rast se ndonjë qytetar ka nevojë për ndihmë mjekësore, atëherë i ofrohen këto shërbime”, thonë për Indeksonline, zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas tyre, këta qytetarë nuk përfitojnë asgjë tjetër, pasi janë jashtë kritereve të përfitimit në kuadër të programin për riatdhesimin e personave të ripranuar.

Sipas një përllogaritje të thjeshtë, nëse bileta për një person kushton 200 euro, atëherë për kthimin e 4 mijë kosovarëve, Hungaria do të shpenzoi 800 mijë euro.

Ndërsa Artan Behrami, zëdhënës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ka thënë se deri më tash janë verifikuar 500 emigrantë që do të kthehen në Kosovë.

“Secili nga ta është verifikuar nga ambasada jonë në Budapest. Ata janë rreth 500 qytetarë të Kosovës që do të kthehen në ditët në vazhdim”, ka thënë Behrami për Indeksonline.

Ndërkohë, ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku, ditë më parë ka thënë se në Hungari ndodhen rreth 4 mijë qytetarë të Kosovës./V.K/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›