E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi – i ligjshëm dhe i mundshëm

Spartak Braho

Ajo që dua të them që në fillim është se çka do parashtrojmë më poshtë ka vlera vetëm për ata që kanë sy të shikojnë, kanë veshë të dëgjojnë dhe mëndje të kuptojnë siç thotë populli dhe s’ka të bëjë me ata zëra “kompetentësh”, që të pozicionuar në llogoret e servilizmit të listës Rama për deputet, janë plotësisht të vetëasgjësuar nga çdo pikëpamje.
Shpjegimet nëse referendumi, siç po qarkullon mendimi i injektuar me sens provokativ, bëhet apo s’bëhet?!, sqaron përfundimisht aksionin e rëndësishëm kushtetues–politik, realizimin e referendumit, abrogimin apo shfuqizimin e 3 ndryshimeve të Kushtetutës të realizuara ditët e fundit nga koalicioni fluid PD–PS dhe konkretisht të neneve 5, 7 dhe 8 të ligjit nr. 9904 datë 21.04.2008.
Sqarojmë se ky aksion popullor kombëtar nëpërmjet këtij referendumi plebishitar, synon të vërë në vend shkeljet nga maxhoranca PD-PS e disa parimeve të rëndësishme të Kushtetutës, ndër të cilat përmendim, shkeljet e parimit të Kushtetutës së Shqipërisë emërtuar Republikë Parlamentare (neni 1), shkeljen e parimit të cenimit të sovranitetit të popullit (neni 2), shkeljen e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, ndërmjet atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor (neni 7), shkeljen e parimit çek e balancës ku presidenti si kryetar i shtetit ka kompetencën në drejtimin nominal të disa organeve kushtetuese, përfaqëson unitetin e popullit (neni 86), si dhe vënien në vend të sovranitetit të popullit për t’u shprehur me referendum (neni 150) për dy çështje të rëndësishme që kanë cenuar sistemin kushtetues–politik të vendit.
Së pari: Populli të shprehet për pozicionin e Presidentit të Republikës në hierarkinë shtetërore dhe për mënyrën e zgjedhjes së tij.
Së dyti: Populli të shprehet për pozicionin e Kryeministrit, kompetencat e tij kushtetuese në raport me organet e tjera kushtetuese.
Për t’i dhënë fund njëherë e mirë spekulimeve të trasha të disa zërave të çjerrë të tellallëve të PS-së që artikulojnë  mosmundësinë e zhvillimit të referendumit, sqarojmë se ato janë të paargumentuara ligjërisht, të paragjykuara politikisht, sepse i tmerron ballafaqimi me popullin, të cilin ata kërkojnë ta çorodisin për t’i hequr të drejtën e shprehjes së vullnetit të sovranit, t’i mbyllin gojën për të thënë dhe ai fjalën e tij direkt për çështje themelore të sistemit politiko-qeverisëse të vendit.
Njëkohësisht këto spekulime të këtyre pseudojuristëve bëhen edhe me qëllimin për t’u bërë presion organeve të caktuara me ligj për organizimin e referendumit, i cili duan apo s’duan  këta ai do të zhvillohet.
Ndërkohë desha të bëj të ditur se, zhvillimi dhe legalizimi i referendumit të përgjithshëm është sanksionuar plotësisht si i mundshëm dhe i realizueshëm në dispozitat e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor (kapitullit të referendumeve).
Konkretisht nenet 150/1, 152 të Kushtetutës dhe nenet 118, 119, 120 dhe 126 të Kodit Zgjedhor përcaktojnë detyrimin e zhvillimit të referendumit dhe rrugët procedurale të zhvillimit të tij.
Kështu neni 150 i Kushtetutës përcakton qartë “Se populli nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji” dhe neni 152/1 përcakton se “Gjykata Kushtetuese shprehet paraprakisht për kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum”. Në këtë rast referendumi cilësohet abrogativ, shfuqizues dhe ai është një rregull i përgjithshëm që përdoret në të gjitha rastet kur një grup zgjedhësish, kërkojnë abrogimin apo shfuqizimin e një ligji, siç është edhe ligji në fjalë. Rasti i shumëpërfolur si pa mundësi!!! Kur kjo kërkesë bëhet nga 1/5 e deputetëve sipas nenit 177/5 (i cili nuk u realizua) ka të bëjë me referendumin pohues kur një amendament kushtetues kërkohet të votëbesohet me referendum kushtetues.
Për shkak të rëndësisë që ka amendamenti kushtetues kërkesa e 1/5 të deputetëve e bën të detyrueshëm zhvillimin e referendumit. Ndërkohë kjo dispozitë (neni 177/5) dhe asnjë dispozitë tjetër kushtetuese nuk mohojnë të drejtën e 50 mijë zgjedhësve të kërkojnë mohimin apo shfuqizimin e një ligji, qoftë edhe ky kushtetues.
Në rastin e parë, ligji kushtetues i miratuar shkon në referendum për të marrë votëbesim, në rastin e dytë shkon në referendum për të marrë mosbesim, për t’u shfuqizuar.
Ky është interpretimi i saktë dhe i plotë, gjë e cila e bën kërkesën për referendum në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Për sa i përket neneve 118, 119, 120 dhe 126 të Kodit Zgjedhor ato përcaktojnë rrugët ligjore e procedurale, afatet kohore dhe rastet e kufizimeve të zhvillimit të referendumit, të cilat kalojnë nga KQZ-ja, në Gjykatën Kushtetuese dhe në fund tek Presidenti i Republikës, i cili dekreton datën e zhvillimit të referendumit.
Pra, në të gjitha dispozitat kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor nuk ka asnjë pengesë për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm popullor. Ai është i ligjshëm dhe plotësisht i mundshëm në kuptim të atyre nocioneve ligjore që trajtuam më sipër.
Ndërkohë mendojmë se politikisht dhe moralisht ka të tjera parametra vlerësimi, ku më i rëndësishëm është ai, që grupimi opozitar i majtë LSI-ja, PSD-ja, PDS-ja, PAD-ja etj., do të rrisin peshën e ndikimit të tyre politik dhe elektoral, sa kohë që kjo peshë apo balancë do të njohë zvogëlim të djeshëm tek dyshja politike PS plus PD. Gjithsesi ndonëse shenjat duken që tani kjo çështje i përket të ardhmes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›