E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyka dhe Filipi, mes emrave "big" të Bolonjës në merkato

Emërimi i Rezart Taçit në krye të
Bolonjës mund të bëjë të mundur
që në klubin e Serisë A të formohet
një "koloni" shqiptare. Biznesmeni,
i cili bleu 80 për qind të aksioneve të klubit
në krahinën e Emila-Romanjës dhe do të
emërohet president, nuk e fshehu idenë për
ta përdorur skuadrën si trampolinë për talentet
kuqezi. Tashmë, përveç emrave "big", në
listën e dëshirave të klubit në këtë merkato
vere figurojnë edhe Jahmir Hyka dhe Brian
Filipi. 21-vjeçari Hyka, i cili luan si mesfushor
i majtë me tipare ofensive ose organizator,
është konfirmuar se do të qëndrojë te Mainc
në Bundesligën II, për shkak të dëmtimeve të
shumta në skuadër. Nga kampionati italian
më parë për të janë interesuar edhe Palermo e
Xhenoa. Vetëm pak kohë më parë, menaxheri
Haxhia pohoi se lojtari i Kombëtares mund
të largohet nga gjermanët, nëpërmjet një
klauzole për prishjen e kontratës për aktivizim
të pakët dhe skuadrat e interesuara do
të paguajnë afro 750 mijë euro për kartonin
e tij. Në anën tjetër, 19-vjeçari Filipi ka mjaft
oferta nga skuadra të rëndësishme. Paraqitja
e mirë e lojtarit gjatë edicionit të kaluar me
Ravenën ka tërhequr vëmendjen e Kievos dhe
Torinos. Gjysma e kartonit të kontingjentit të
përfaqësueses U-19 të Shqipërisë zotërohej
nga Palermo, por klubi sicilian vendosi të
mos ta blinte mesfushorin e krahut të majtë.
Të dy këta lojtarë shihen si një investim për
të ardhmen e Bolonjës, por nuk duhet nënvlerësuar
fakti që fillimisht skuadrës i nevojiten
lojtarë të afirmuar.
Kjo është arsyeja përse drejtuesit e klubit
kanë "shënjestruar" emra të mëdhenj. Në
listën e shpenzimeve janë Marko Borrielo:
lojtari i Milanit mbetet ëndrra e kuqebluve.
Alternativa të tjera janë edhe Valeri Bojinov,
të cilin tekniku i Mançester Sitit, Mark
Hjuxhs, kërkon ta largojë në formë huazimi.
Për partnerin e kapitenit Di Vaio në sulm, si
alternativa shihet edhe Hulio Rikardo Kruz i
Interit, Ezekuel Laveci i Napolit dhe Klas-Jan
Huntelar. Ndërkohë, Taçi pohoi: "Objektivat
në merkato do t‘i bëjmë publike më 3 gusht.
Synimi është që Bolonja të mos jetë më një
skuadër e ‘zonës së ftohtë‘ të klasifikimit". Në
atë datë do të mësohen edhe shanset reale të
transferimit të Hykës dhe Filipit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›