Hyka, rruga drejt suksesit te Olimpiakos kalon nga skuadra e dytë

Albania-Sport - Ka shumë të ngjarë të materializohet kalimi i talentit shqiptar, Jahmir Hyka, te gjigandi i futbollit grek, Olimpiakos, por e tërë kjo histori do të ketë një "kthesë" të vogël, pasi shtatshkurtrit do t'i duhet ta provojë fatin fillimisht në skuadrën e dytë të klubit grek, përpara se të kalojë te skuadra e parë. Një gjë të tillë e kanë pohuar për Albania-Sport.com burime pranë klubit grek, të cilat kanë sqaruar se shqiptari do të vijë te Olimpiakosi, por trajneri Lemonis ka të ngjarë ta cojë atë në skuadrën e dytë, por do ta monitorojë ecurinë e Hykës, me idenë që, kur të bindet, ta aktivizojë edhe në skuadrën e parë të klubit grek.
Ndonëse asgjë nuk është zyrtarizuar, burimet në fjalë pohojnë se, në klubin grek, të thonë se Hyka ka pranuar të qëndrojë te Olimpiakosi dhe ka pranuar ta nisë karrierën në vendin fqinj nga skuadra e dytë dhe jo nga e para. Në fakt, drejtuesit e klubit të Olimpiakosit janë nën presion nga ana e tifozëve, të cilët, nëpërmjet emisioneve televizive apo radiofonike, kanë telefonuar duke shprehur interesin e tyre për Jahmir Hykën. "Ata besojnë se ai është një talent i madh i futbollit dhe janë të mendimit se Olimpiakosi duhet të punojë dhe të tregohet i duruar me futbollistin shqiptar", - përfundon burimi në fjalë, duke folur ekskluzivisht për Albania-Sport.com.