Miqësorja Shqipëri-Maqedoni, biletat VIP 1000 lekë

Mesa duket Federata Shqiptare e Futbollit e ka kuptuar që tifozeria e zjarrtë shqiptare është "lojtari" i 12-të i kombëtares në ndeshjet që kjo e fundit zhvillon në Shqipëri, qofshin këto miqësore ashtu edhe takime zyrtare për eliminatoret e kompeticioneve ndërkombëtare. Institucioni i futbollit ka ndjekur një politikë disi të gabuar përsa i përket përcaktimit të cmimeve të biletave për ndeshjet e mëparshme të kuqezinjve, të cilat duhet thënë se kanë qenë të kripura për xhepat e sportëdashësve dhe në disa raste janë kontestuar fuqishëm nga grupimet e ndryshme të tifozëve të përfaqësueses. Grupimi më i madh, "Tifozat Kuq e Zi" arriti deri në masën ekstreme të brakstisjes së ndeshjes së parë të këtyre eliminatoreve atë të 6 shtatorit kundër Rumanisë, në të cilën kuqezinjtë u mundën me rezultatin 2-0. Kjo boshatisje e shkallëve të stadiumit "Qemal Stafa" në fillim shtatorin e kaluar ndodhi pikërisht për faktin e cmimeve të larta të biletave që kishte përcaktuar FSHF-ja për këtë takim. Duke parë këtë "ftohje" të tifozerisë së zjarrtë kuqezi me ekipin kombëtar, "qeveria" e futbollit ka vendosur të ndryshojë politikën e saj të biletave duke ulur ndjeshëm cmimet për ndeshjen miqësore të 7 shkurtit, Shqipëri-Maqedoni që do të luhet në stadiumin e Shkodrës, "Loro Borici". Kështu, Federata ka hedhur idenë që cmimet e biletave për takimin kundër fqinjëve të mos shkojnë më shumë se 1000 lekë dhe kjo bëhet për të sjellë sa më shumë tifozë në stadiumin e qytetit verior. Ideja është hedhur tashmë dhe mbetet që kjo të zyrtarizohet sot në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Zëdhënësi për shtyp i institucionit të futbollit, Lysien Nurishmi bën të ditur se KE-ja do të vendosë përfundimisht sot në mbledhjen e radhës që do të zhvillojë cmimet e biletave për takimin kundër maqedonasve. "Federata e ka hedhur idenë që cmimet e biletave për ndeshjen miqësore të 7 shkurtit, Shqipëri-Maqedoni të jenë të ulta dhe ekzaktësisht në cdo pjesë të mos e kalojnë 1000 lekët. Kjo bëhet për të stimuluar sportëdashësit e kombëtares që të mbushin shkallët e stadiumit të Shkodrës. Megjithatë, gjithcka do të zyrtarizohet nesër(sot) në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të Federatës, pasi vetëm anëtarët e KE-së kanë të drejtë që të vendosin cmimet e biletave" deklaroi zëdhënësi Nurishmi. Gjithashtu, institucioni i futbollit ka si synim që edhe në ndeshjen e 24 marsit, Shqipëri-Slloveni që është e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian të përcaktojë cmime jo shumë të larta për të tërhequr sa më shumë tifozë. Edhe ky takim eliminator do të zhvillohet në stadiumin e Shkodrës, "Loro Borici". Kombëtarja shqiptare do të grumbullohet të dielën në hotel "Chato Linza" dhe do të zhvillojë tre ditë përgatitje për ndeshjen e 7 shkurtit kundër fqinjëve. Pritet që nesër të zbardhet edhe lista e futbollistëve që do të grumbullohen për këtë takim. Ndërkohë që në mbledhjen e sotme, KE-ja do të diskutojë edhe për probleme të tjera sic është ristrukturimi i statuteve të klubeve shqiptare, miratimi për arbitrat që do të drejtojnë gjatë fazave të dyta të kampionateve të të gjitha kategorive dhe disa gjëra të tjera.
Besar Bozgo