E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hyn në fuqi vendimi i Trump, nga sot ndalohen udhëtimet drejt SHBA për shtetasit nga 12 vende

Vendimi i ri i Presidentit Donald Trump për udhëtimin në SHBA nga qytetarët e 12 vendeve, kryesisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, hyn në fuqi mëngjesin e kësaj të hëne.

Vendimi i ri të cilIn Trump e nënshkroi javën e kaluar, u kufizon plotësisht hyrjen në SHBA shtetasve të Afganistanit, Mianmarit, Çadit, Republikës së Kongos, Guinesë Ekuatoriale, Eritresë, Haitit, Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit dhe Jemenit.

Hyrja e shtetasve të Burundit, Kubës, Laosit, Sierra Leones, Togos, Turkmenistanit dhe Venezuelës do të kufizohet pjesërisht.

Ndryshe nga ndalimi i parë i udhëtimit i Trump në vitin 2017, i cili fillimisht synonte qytetarët e shtatë vendeve me shumicë myslimane dhe u kritikua si një “ndalim mysliman” jokushtetues, vendimi i ri i Trump është më i gjerë.

Vendimi më i fundit u eklipsua nga betejat e tjera të Trump për imigracionin, duke përfshirë protestat në Los Angeles për shkak të bastisjeve të Trump për deportim, të cilat u pasuan nga vendosja e Gardës Kombëtare nga Trump në qytet pavarësisht kundërshtimit të guvernatorit të Kalifornisë.

Ndalimi i sapovendosur përfshin veçanërisht qytetarët e Haitit, një vend me shumicë të krishterë.

Ndalesa e re nuk i anulon vizat e lëshuara më parë për njerëzit nga vendet në listë, sipas udhëzimeve të lëshuara të premten për të gjitha misionet diplomatike amerikane. Megjithatë, nëse një aplikant nuk përmbush kriteret e ngushta për një përjashtim nga ndalimi, kërkesa e tij ose e saj do të refuzohet duke filluar nga e hëna. Udhëtarët me viza të lëshuara më parë duhet të jenë ende në gjendje të hyjnë në SHBA edhe pasi ndalimi të hyjë në fuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›