E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbahet pas 13 vitesh Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore

Pas 13 vitesh është mbledhur në Vlorë, Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Në fjalën hapëse, kreu i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi, deklaroi se ruajtja e qëndrueshmërisë në interpretimin e ligjit është mision thelbësor në forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e sigurisë juridike dhe koherencës së sistemit. Ai vlerësoi si të rëndësishme edhe gjetjen e balancës mes autoritetit të juridiksionit të brendshëm dhe detyrimeve ndërkombëtare.

“Vendosja e standardeve të përbashkëta, si shqyrtimi në kohë i çështjeve, zbatimi i unifikuar i ligjit apo përdorimi inteligjent i mjeteve digjitale, duhet të jetë pjesë e agjendës së çdo gjykate bashkëkohore, nëse dëshiron të funksionojë me hapin e kohës dhe të fitojë mbështetjen e qytetarëve për një drejtësi cilësore dhe të përshtatshme me realitetin e sotëm”, deklaroi Sadushi.

Ky i fundit theksoi se forca e një gjyqësori qëndron në unitetin dhe vizionin e përbashkët, me synimin që drejtësia të bëjë drejtësi. “Ne duhet të jemi shembulli më i lartë i integritetit dhe mbrojtësit më të zjarrtë të shtetit të së drejtës”, tha ai.

Nga ana e tij, kreu i shtetit Bajram Begaj vuri theksin te nevoja për uljen e numrit të dosjeve të mbartura.

Ai bëri me dije se teksa Shqipëria po ndërmerr hapa  të shpejtë për anëtarësimin në BE, nevojitet angazhim maksimal edhe nga ana e gjyqësorit.

“Akses të plotë e të barabartë për qytetarët në sistemin e drejtësisë. Duhet të zvogëlohet numri i dosjeve të mbartura. Garanci për drejtësi në kohë. Sfidë mbeten dosjet e mbartura.  Shqipëria po ndërmerr hapa të shpejtë për anëtarësimin në BE, kjo kërkon angazhim maksimal edhe të gjyqësorit. Kam besim se kjo konferencë do na shërbejë për të mësuar nga eksperienca e njëri tjetrit”, deklaroi Begaj.

Presidenti u ndal te përgjegjësia që kanë gjyqtarët e gjykatave të larta, duke theksuar rolin e tyre si garantë të drejtësisë, duke siguruar respektimin e ligjit dhe ruajtjen e të drejtave e lirive themelore të qytetarëve, si dhe ndërtimin e besimit të publikut te drejtësia. “Ky rol kërkon profesionalizëm, integritet dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie publike”, u shpreh Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi se roli i gjyqësorit bëhet edhe më i rëndësishëm teksa shoqëritë e vendeve tona përballen me një larmishmëri sfidash, të cilat kërkojnë zgjidhje jo vetëm juridike, por edhe një frymë që reflekton vlerat tona të përbashkëta demokratike.

Kreu i Shtetit u ndal në fjalën e tij edhe në dy parimet themelore që garantojnë besueshmërinë, drejtësinë dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor, siç janë transparenca dhe llogaridhënia.

Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, vuri theksin te besimi i qytetarëve te sistemi gjyqësor si shtylla kryesore e një shoqërie demokratike. Ai rikujtoi se reforma në drejtësi, e nisur në vitin 2014, kishte si objektiv kryesor rikthimin e këtij besimi përmes pastrimit të sistemit dhe rritjes së transparencës.

“Pikënisja e procesit të vetingut ishte një hap vendimtar në këtë drejtim,” u shpreh Manja, duke shtuar se diskutimet mbi marrëdhëniet mes juridiksionit vendas dhe atij ndërkombëtar janë thelbësore, veçanërisht për vende si Shqipëria që synojnë integrimin në Bashkimin Europian.

Ai nënvizoi nevojën për një bashkëpunim të harmonizuar mes juridiksioneve, me qëllim përfundimtar shërbimin ndaj qytetarëve dhe ndërtimin e një drejtësie universale.

Një tjetër pikë kyçe e adresuar nga ministri ishte digjitalizimi i drejtësisë. “Përdorimi i mjeteve digjitale është në fokusin tonë strategjik, për të siguruar një sistem më efikas dhe më të aksesueshëm për qytetarët,” tha Manja. Sipas tij, brenda pak vitesh, i gjithë sistemi i drejtësisë pritet të shërbehet nga teknologji moderne, duke sjellë ndikim konkret dhe të ndjeshëm për publikun shqiptar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›