E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyrja në NATO festohet me 2 mitingje ne Tirane

Maxhoranca do të organizojë më 5 prill koncert te madh në shesh, opozita bojkoton pjesëmarrjen. Bashkia e Tiranes manifestim në datën 4 prill pwr anetaresimin e Shqiperise ne NATO 

TIRANE-Qeveria dhe Bashkia e Tiranës festojnë me dy mitingje të ndryshme anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Edhe këtë ngjarje të rëndësishme, opozita dhe maxhoranca do e festojnë të ndara. Kështu, Bashkia e Tiranës ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen koncertit të madh festiv, në datën 4 prill, ku do të marrin pjesë grupet muzikore më të dëgjuara në vend. Në këtë koncert do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë dhe partitë e tjera të opozitës. E paqartë nëse do të shkojë në këtë aktivitet është LSI-ja, e cila do ta diskutojë. Ndërkohë, një tjetër koncert i madh do të zhvillohet në datën 5 prill, nga qeveria. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha, do të organizojë një koncert të madh festiv me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Mitingu do të mbahet në sheshin “Skënderbej”. Përveç qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, ftesat për këtë koncert u janë shpërndarë të gjithë deputetëve të Kuvendit, edhe atyre të opozitës. Por, të pyetur për këtë, deputetë të opozitës shprehen ose me ironi, ose se nuk kanë dijeni. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj u shpreh se, “nuk ja ka idenë”, në lidhje me këtë aktivitet. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi shprehet se, “do ta pleqërojmë shumë mirë këtë çështje”, sepse deri tani LSI-ja nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë.
Opozita e ka përshëndetur marrjen e ftesës, por edhe këtë herë ajo nuk do t’i bashkohet qeverisë, e cila sipas drejtuesve të PS-së, po përpiqet ta përvetësojë edhe këtë sukses të të gjithë shqiptarëve.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›