Hyrja në real-politikë, thjesht si kontribut
Arben Rrozhani
-Hyrja e Koço Kokëdhimës në real-politikë ka trazuar shumë persona, që pështjellimin s’ua mban barku dhe po e nxjerrin përditë në media si fundin e botës politike në Shqipëri, si implikimin më të rëndë të forcës më të madhe politike në vend, PS-së, si katapultimin qëllimisht të pastër të botuesit të “Shekullit”, për t’ia parë hajrin politikës dhe bashkë me to bizneseve të tij dhe si “tokë e xanun” për ndonjë socialist, që sot ka dalë i pavarur. Si kryeredaktor i gazetës “Shekulli”, qoftë edhe për të ashtuquajturin “konflikt interesi”, ngase themeluesi i gazetës është ai që më jep rrogën, do të doja të mos i shkruaja këto radhë dhe të realizohej fjala e popullit që “Çudia më e madhe tri ditë zgjat”, që gjakrat do të ftoheshin, që mendjet do të kthjelloheshin, që gjithsecili të vlerësonte kontributet e cilitdo njeriu në këtë vend, për t’ia lënë vendin meritokracisë dhe jo shkërdhatokracisë. Por nga pozicioni i gazetarit prej vitit 1992, që është sjellë vërdallë në medien e shkruar shqiptare dhe ka ngritur jo pak herë strehën te “Shekulli”, të paktën prej vitit 2000 dhe tani, sërish prej tre muajsh në detyrën e drejtuesit të gazetës që bëri historinë në botën mediatike të shtypit të shkruar prej vitit 1997, dua të them pak fjalë që kanë lidhje vetëm me vlerën e kontributeve. Duke u mjaftuar me kontributet e Kokëdhimës si botues. Duke nisur nga ajo më e parëndësishmja në dukje, Kodi i Etikës, që shumë media të shkruara apo vizive, nuk ia kanë idenë, por që prej vitesh ka qenë normë punë te “Shekulli”. Dhe që solli një gazetari profesioniste, të mbështetur në burime, jo spekulative dhe jo denigruese, për të mos vënë maskën dhe për të vënë gjoba. “Shekulli” ka qenë lider në medien e shkruar dhe, po të donte kompromisin, botuesi i saj do t’ia kishte parë hajrin. Por jo. Të paktën në 13 vitet e fundit, ai ka qenë kritiku më i ashpër i të gjitha qeverive, duke mos bërë pazar me vijën editoriale, duke mbajtur anën e interesit kombëtar, përballë atyre fitimeve, që do t’i kishin ardhur, siç i morën të tjerët “me thasë” për t’u shtirur edhe si puthadorë me qeveritë, apo edhe për të rrahur gjoksin për pavarësi. Zotëria “2K”, po të shikonte interesin personal, nuk do të hapte betejën e gjatë, por më në fund të fituar, me projektin makabër të kthimit të Shqipërisë në një magazinë gjigande plehrash, që do të silleshin nga Italia përditë. Do të pranonte “listën e gjelbër” të qeverisë “Nano” të vitit 2004, do të paguhej për mbylljen e gojës dhe gjithçka do të përfundonte si në përralla: Dhe të gjithë jetuan të lumtur. Në të kundërt, zgjodhi rrugën e luftës, duke e bërë atë problem jo vetëm mediatik, por edhe një betejë kombëtare, mbështetur edhe nga shoqëria civile, që vendi të mos përfundonte si “oborri i pasëm” i plehrave të Italisë. Në 2009, “Shekulli” nisi një betejë tjetër kundër qeverisë së radhës: denoncimin e marrëveshjes së shitjes së detit, siç parashikohej nga Pakti Detar Shqipëri-Greqi i prillit 2009, nënshkruar në Tiranë dhe sqaruar mjeshtërisht nga koloneli patriot Myslim Pashaj, ku mbi 355 km katrorë sipërfaqe ujore i faleshin fqinjit tonë jugor. Beteja u fitua, qeveria “Berisha” nuk arriti ta shiste një pjesë Shqipërie, të cenonte integritetin territorial të saj. Nuk do të mjaftonin as të paktën këto dy beteja patrotike që zotëria “2K” të ishte në sallën e Kuvendit, ku prej vitesh ka mbisunduar parlamentarizmi turkoshak, atdheshitës, primitiv dhe tribal? Dy betejat e mësipërme, prej qindra betejave mediatike që “Shekulli” nisi dhe fitoi me qeveritë, sollën padyshin kosto, sepse qëndrimin oponent, qeveritarët hakmarrës e kanë halë në sy. Por problemet që vijnë si pasojë e tyre, natyrisht nuk presim që t’i kuptojnë sot mediat qeveritare, ku gazetarët e tyre marrin nga disa rroga shteti, sepse botuesit janë përfituesit e reklamave që bëhen me paratë e taksapguesve shqiptarë, përfitojnë tenderat, privatizimet, punët publike dhe bonuse të tjera qeveritare, për t’u përdorur si hanxharë ndaj opozitës së majtë. Fakte që i dinë edhe kolegë të tjerë të mediave opozitare, që kanë bërë zotërinë “2K” problemin më të madh të vendit, kur e dinë mjaft mirë, se problemi më i madh dy muaj para zgjedhjeve është largimi me votë i qeverisjes, që nuk do askënd tjetër veç vetes, njerëzve të saj, biznesmenëve të saj, ndërsa për të tjerët do të donte të bëhej si me indianët e Amerikës shekuj me parë, ku “opozitari i mirë, është ai i vdekur”. Sa i përket trazimit të ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, mjafton të shkruhet thënia lapidare e Mezan Malajt, një socialisti 24 karatësh nga Vlora thënë një ditë pas mbledhjes së 8 majit 2013, kur ish-kryetari doli dhe mallkoi PS-në, Koço Kokëdhimën dhe merrte nën sqetull Arben Malajn: “Nanon askush nuk e fton në dasëm, por në vdekje është zakoni që nuk e lënë jashtë dhe ai hyn brenda”. Gabon populli? Jo, thjesht çështje kontributesh.