Hysaj: AKT, drejt një modeli të ri për promovimin dhe marketingun e turizmit

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Turizmit synon të konsolidohet deri në vitin 2030 si institucioni qendror për promovimin dhe marketingun e destinacionit shqiptar, duke forcuar transformimin digjital, bashkëpunimin me sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe zhvillimin e produkteve të reja turistike.
Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj prezantoi sot në seancën dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale vizionin dhe prioritetet e institucionit, duke theksuar nevojën për forcimin e statusit juridik dhe institucional të AKT-së, riorganizimin e strukturës dhe rritjen e kapaciteteve në promovim e marketing.
Hysaj tha se AKT është person juridik publik buxhetor në varësi të ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe ka si mision promovimin e Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit.
“Gjatë viteve të fundit Agjencia ka orientuar veprimtarinë drejt forcimit të promovimit të Shqipërisë si destinacion turistik, rritjes së vizibilitetit ndërkombëtar, zhvillimit të kanaleve digjitale dhe zgjerimit të bashkëpunimit me sektorin privat, institucionet dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”, theksoi ajo.
“Vizioni i AKT-së për vitin 2030 është konsolidimi i Shqipërisë si një destinacion turistik konkurrues, i qëndrueshëm, gjithëvjetor dhe i njohur ndërkombëtarisht, me një ofertë të diversifikuar, të ndërtuar mbi natyrën, trashëgiminë, gastronominë, turizmin malor, rural, bregdetar dhe të aventurës”, theksoi Hysaj.
Sipas saj, AKT synon të konsolidohet si institucion qendror i promovimit dhe marketingut të destinacionit shqiptar duke ndërthur markën “Albania All Senses”, transformimin që vjen përmes aplikacionit TEA dhe promovimin në tregjet ndërkombëtare dhe partneritetet me bashkitë, sektorin privat, diasporën dhe partneritete ndërkombëtare.
“AKT synon të evoluojë nga një strukturë kryesisht promocionale në një agjenci moderne të menaxhimit dhe marketingut të destinacioneve kombëtare, me kapacitet për të projektuar, koordinuar dhe zbatuar politika promocionale afatgjata, për të administruar markën turistike të Shqipërisë dhe për të përdorur të dhënat e teknologjinë në vendimmarrje. Në këtë kuadër, një nga drejtimet kryesore është rishikimi i kuadrit ligjor, statusit juridik dhe organizimit të AKT-së, me synim përshtatjen e funksioneve dhe kompetencave të saj me zhvillimet e sektorit dhe objektivat e strategjisë 2025-2030”, nënvizoi Hysaj.
“Duhet të ndahet qartë roli i ministrisë përgjegjëse për turizmin si institucion politikëbërës, drejtues dhe mbikëqyrës nga roli i AKT-së si institucion zbatues dhe promocional”, u shpreh Hysaj.
Ajo nënvizoi gjithashtu nevojën për rritjen e autonomisë funksionale, administrative dhe financiare të Agjencisë, brenda kuadrit të administratës shtetërore dhe nën mbikëqyrjen e ministrisë përgjegjëse.
Sipas saj, natyra e veprimtarisë së AKT-së, që përfshin promovimin ndërkombëtar, menaxhimin e markës së destinacionit, platformat digjitale, organizimin e panaireve, udhëtimeve njohëse për operatorë turistikë dhe media, si dhe bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë, kërkon shpejtësi në vendimmarrje, fleksibilitet operacional dhe vazhdimësi në planifikim.
Një tjetër prioritet është riorganizimi i strukturës së Agjencisë, duke forcuar kapacitetet në marketing, promovim ndërkombëtar, komunikim, menaxhim të markës dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
“Në fokus do të jetë edhe transformimi digjital përmes zhvillimit të platformës “Tourism Albania”, e cila synon të shërbejë si instrument i integruar për informimin dhe promovimin turistik. Platforma do të përfshijë informacion mbi destinacionet, atraksionet, eventet, plazhet, bizneset dhe shërbimet turistike”, tha Hysaj.
Gjithashtu Hysaj u shpreh se “AKT synon të forcojë marrëdhëniet me institucionet homologe, organizatat ndërkombëtare, operatoret, mediat dhe partneritetet strategjike si dhe kapacitetet për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Europian në partneritet me ndërkombëtarët”.
Duke folur për Akademinë e Turizmit, Hysaj u shpreh “është një risi krijimi i Akademisë së Turizmit, i cili duhet të shqyrtohet si një projekt i veçantë bashkëpunimi me Ministrinë përgjegjëse për Arsimin, Universitetet dhe sektorët privatë”.
“Akademia do të jetë pjesë integrale e AKT-së, një zhvillim i cili do të sjellë jo vetëm shërbime të reja për sa i përket formimit profesional të udhërrëfyesve turistikë, sigurisë së udhëtarëve, menaxhimin e projekteve europiane, turizmit kulturor dhe natyror, matja e performancës dhe llogaridhënia AKT do të ndërtojë një sistem performance ku aktivitetet dhe investimet lidhen me objektiva treguese dhe rezultate konkrete”, tha Hysaj.
/k.s/j.p/r.e/