E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni: Askush nuk mund ta anulojë pavarësinë e Kosovës

"Askush nuk mund ta anullojë pavarësinë e Kosovës". Kjo ka qenë deklarata e dhënë për Radion "Europa e Lirë" nga ministri i Jashtëm kosovar Skënder Hyseni, njëherazi edhe kryesues i delegacionit kosovar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ku po zhvillohen seancat dëgjimore nga 30 vende të botës, lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.. "Nëse qëllimi i këtij debati ishte zvarritja e procesit të njohjes së Kosovës, atëherë kjo është arritur. Ne na vjen keq që ka ndodhur një gjë e tillë, por nuk jemi të befasuar me asnjë hap të Serbisë", ka thënë shefi i diplomacisë kosovare në Hagë. "Ne jemi realistë. Por, ashtu si Serbia e bën punën e saj, edhe ne e bëjmë punën tonë. Në këtë drejtim, asgjë nuk do ta pengojë Kosovën që në një kohë të caktuar të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, dhe askush nuk duhet të dyshojë se ajo në plan afatgjatë do t'i realizojë të gjitha synimet e saj", ka thënë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›