E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballen në Gjykatë

Pas një jave në Gjykatën Kushtetuese do të ballafaqohen Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa, për të sqaruar vendimet e tyre për procesin elektoral të Gjakovës.

Në këtë seancë, që mbahet më 9 shkurt, pritet të marrin pjesë edhe partia fituese në Gjakovë, AAK’ja, dhe AKR’ja, e cila humbi garën zgjedhore.

Kjo është bërë e ditur nga Kryetarja e KQZ’së, Nersin Lushta, e cila ka thënë se vendimet që do të merren në Gjykatën Kushtetuese do të respektohen.

“Kjo është një ftesë për një seancë dëgjimore, ku janë të ftuar KQZ’ja, KZAP’ja, AAK’ja dhe AKR’ja. Andaj, se si do të rrjedhin vendimet nuk mund të prejudikoj asgjë”, ka thënë Lushta pas mbledhjes së KQZ’së.

AKR’ja e Behgjet Pacollit ka ngritur padi ndaj vendimit të KQZ’së për certifikimin e rezultateve zgjedhore për Komunën e Gjakovës si dhe ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka shpallur të ligjshëm certifikimin e këtyre rezultateve. Megjithëkëtë, kandidatja e AKR’së për Kryetare te Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar edhe vënien e masës së përkohshme për anulimin e rezultateve zgjedhore në Komunën e Gjakovës.
Përkundër këtyre vendimeve, AKR’ja ende shpreson se në Komunën e Gjakovës do të ketë përsëritje të zgjedhjeve për shkak se dyshohet për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

“Mendoj se edhe rasti i Gjakovës duhet të shkojë në rivotim për shkak se ka pasur shumë parregullsi, të cilat i ka argumentuar AKR’ja”, ka thënë anëtari i KQZ’së, Fadil Maloku.

“Gjykata Kushtetuese do të sjellë vendimin meritor për rastin e Gjakovës, pasi KZAP’ja nuk ka marrë vendim të drejtë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, as të hënën KQZ’ja nuk ka diskutuar fare për procesin e bllokuar elektoral të Gjilanit, por është thënë se me këtë çështje ky institucion do të merret në ditët në vijim. Derisa për organizmin e zgjedhjeve në Istog, Kryetarja Lushta tha se KQZ’ja është duke pritur caktimin e datës nga Presidenti Fatmir Sejdiu.

“KQZ’ja është e gatshme të organizojë zgjedhjet në Istog, pas caktimit të datës nga Presidenti Fatmir Sejdiu. Por, ju kisha lutur të mos merreni me këtë çështje derisa të kryhet varrimi i Kryetarit të ndjerë, Fadil Ferati”, ka thënë ajo.

Zgjedhjet në Istog pritet të mbahen brenda 45 ditësh, pasi Kryetari i kësaj komune, Fadil Ferati ka ndërruar jetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›