E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni përforcon Vëllaznimin

Vëllaznimi ka filluar ta përforcojë ekipin për pjesën e dytë të kampionatit. Gjakovarët, që po e synojnë titullin e kampionit, të martën e kanë transferuar sulmuesin më të mirë të Superligës, Berat Hysenin. Kuqezinjtë besojnë se shumë shpejt në Gjakovë do ta sjellin edhe mesfushorin e Drenicës, Bardhyl Kaçiu.

Drejtuesit e skuadrës së Vëllaznimit nuk e kanë ndërmend të pushojnë, edhe pse stinori vjeshtor ka përfunduar javën e kaluar. Kuqezinjtë kanë filluar t’i sjellin përforcimet e para në skuadër, e cila po e ndjek titullin e kampionit.

Gjakovarët të martën kanë përforcuar radhët e tyre me sulmuesin më të mirë aktualisht të Superligës, Berat Hysenin, i cili në sezonin vjeshtor mbronte ngjyrat e Trepçës.

Ndërkohë, kuqezinjtë janë afër transferimit edhe të mesfushorit të Drenicës, Bardhyl Kaçiu. Këtë e ka konfirmuar për Express trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli.

“Me Berat Hysenin veç i kemi kryer bisedimet dhe në pranverë ai do t’i mbrojë ngjyrat e skuadrës tonë. Ndërkohë, jemi në prag të transferimit edhe të Bardhyl Kaçiut. Tani për tani gjasat janë 90 për qind që Kaçiu të bëhet lojtar i Vëllaznimit. Po e presim një përgjigje nga ai dhe realisht ne jemi duke e pritur një përgjigje pozitive nga Kaçiu”, ka deklaruar Shosholli.

Ish trajneri i FC Prishtinës dhe i Trepçës ’89 ka paralajmëruar se ekipi gjakovar nuk do të ndalet me kaç. “Pas këtyre dy përforcimeve, na nevojiten edhe dy apo tri përforcime tjera për të qenë kandidatë seriozë për titull të kampionit. Na nevojitet edhe një sulmues tjetër, po ashtu edhe një mesfushor, por edhe një mbrojtës. Aktualisht nuk kemi emra të futbollistëve kandidatë për t’i mbuluar këto pozita, por jemi duke hulumtuar”, theksoi ai

Ai paralajmëroi se pasi të kryhen të gjitha përforcimet e planifikuara, nga skuadra kuq e zi do të lirohen disa futbollistë në shërbimet e të cilëve nuk llogarit fort si trajner.

Drenica s’e lëshon Kaçiun

Skuadra e Drenicës nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga Bardhyl Kaçiu, i cili po kërkohet me ngulm nga Vëllaznimi. Kryetarja e skuadrës nga Skenderaj, Mihane Kadriu Bekteshi thotë se gjakovarët kot shpresojnë në shërbimet e Kaçiut, pasi nuk e ka ndërmend ta lirojë nga kontrata mesfushorin.

“Bardhyl Kaçiu ka kontratë me skuadrën tonë edhe për gjashtë muaj tjerë. Ai është lojtar i rëndësishëm për ekipin tonë dhe nuk e kemi ndërmend assesi që ta lirojmë para kohe nga kontrata. Edhe vetë Kaçiu është i interesuar të qëndrojë në Drenicë”, ka thënë Mihane Kadriu Bekteshi për Express.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›