E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Prishtinë evropiane

Lideri i Superligës, Prishtina të martën edhe zyrtarisht e ka prezantuar trajnerin e ri, Wolfgang Jerat. Bardhekaltrit besojnë se trajneri gjerman do ta bëjë Prishtinën klub me standarde evropiane. Edhe vetë Jerat ka pohuar se do të bëjë çmos që skuadra prishtinase t’u ofrohet në çdo aspekt klubeve të Bundesligës 2.

FC Prishtina të martën edhe zyrtarisht e ka prezantuar shefin e ri të shtabit teknik, Wolfgang Jerat. Prezantimin e trajnerit të ri e ka bërë presidenti i klubit bardh e kaltër, Remzi Ejupi.

Sipas Ejupit, Jerat do ta udhëheqë ekipin kryeqytetas të paktën gjatë stinorit pranveror – por nuk ka treguar detajet financiare të marrëveshjes. Mirëpo, posa të përfundojë ky kampionat, ai ka paralajmëruar se klubi i tij, sipas të gjitha gjasave, do të nënshkruajë kontratë edhe për dy vite tjera me trajnerin gjerman.

Sidoqoftë, krerët e kampionit vjeshtor janë shprehur të lumtur që e kanë bindur Wolfgang Jerat ta marrë drejtimin e skuadrës së tyre. Ata besojnë se gjermani do ta ndihmojë Prishtinën që të përparojë.

“Kemi menduar ta sjellim një frymë të re në futbollin tonë. Ardhja e Jerat në Prishtinë është një dhuratë për gjithë futbollin kosovar. Përveç që do ta udhëheqë skuadrën e parë, trajneri i ri do të angazhohet edhe në riorganizimin e shkollës së futbollit. Njëherësh, Jerat do t’i shfrytëzojë lidhjet e tij, mundësitë e tij, për ta ndihmuar Prishtinën t’u ofrohet standardeve evropiane. Ai mund të ndihmojë në transferimin e futbollistëve tanë nëpër klube të huaja, e po ashtu edhe në organizimin e ndeshjeve miqësore”, ka deklaruar Ejupi.

Në anën tjetër, Jerat është shprehur të jetë i kënaqur që tash e tutje do ta udhëheqë klubin më të famshëm kosovar, i cili shumë shpejt do t’i mbushë 90 vite. Ish trajneri i Kolnit, i Wuppertalerit dhe së fundi i Bonner SC ka pohuar se tashmë ka njohuri rreth futbollit kosovar.

Pasardhësi i Ramiz Krasniqit thotë se objektiv i tij do të jetë ngritja e cilësisë së klubit të tij të ri, i cili shpreson që shumë shpejt do të bëhet i njëjtë sikurse klubet e Bundesligës 2 gjermane për nga kualiteti.

“Kam pa disa ndeshje e disa futbollistë në Kosovë. Futbolli luhet çdo kund me rregulla të njëjta. Në Gjermani themi: ‘Futbolli luhet me 22 lojtarë dhe në fund le të fitojë Gjermania’. Kurse unë po them në fund le të fitojë Prishtina. Shpresoj të mbesim aty ku e la Ramiz Krasniqi. Liga e Kosovës është sikurse liga e katërt gjermane, eventualisht e treta. Ndërsa unë synoj që Prishtina të bëhet si skuadrat e Ligës së dytë gjermane, sepse e meriton, pasi tashmë i mbush 90 vite”, ka deklaruar Jerat.

Sipas tij, vizionet e Remzi Ejupit për të ardhmen e kanë bindur ta pranojë ofertën që kishte marrë nga Prishtina. Mirëpo, ai nuk ka qenë i gatshëm të flasë nëse do të ketë nevojë për ta përforcuar ekipin me lojtarë të huaj apo kosovarë.

56 vjeçari në Gjermani njihet si një trajner i mirë, por kontrovers. Sipas medieve gjermane, Jerat di të vonohet në stërvitje, të flejë në makinë, të mos udhëtojë me autobusin e futbollistëve, por me makinën e tij private, por edhe ta marrë qenin pas vetës edhe gjatë orarit të punës. Këto nuk janë mohuar as nga vetë Jerat, i cili pranoi se te qeni shpesh gjen ngushëllimin kur humb ndonjë ndeshje.

Gjermani në postin e trajnerit do ta zëvendësojë Ramiz Krasniqin, i cili ia doli që stinorin vjeshtor me Prishtinën ta përmbyllë si lider në Superligë. Krasniqi tash e tutje do ta ushtrojë detyrën e drejtorit sportiv. Ai pranoi se ishte mërzitur me faktin që më nuk do ta udhëheqë ekipin bardh e kaltër, të cilën punë e kryente që dy vite. Por, megjithatë, ai tha se vendimet e bordit të klubit duhen respektuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›