LDD si ‘Ura e Shenjtë” - ditën ndërtohej, natën shembej
Kosovapress: Z.Daci ku është sot LDD-ja, ku është Nexhat Daci, ngase përveç intervistave tuaja të atykëtushme, zëri i LDD-së nuk dëgjohet askund?
Daci: Keni të drejtë. Po bëhet një vit gati që LDD-ja po merret me vetveten dhe tani është konsoliduar në atë mënyrë që më lejon mua të jem relaksues në paraqitje edhe me degët e LDD-së edhe para mediave. Jemi munduar që në radhë të parë lëshimet tona t’i korrigjojmë, të freskohemi dhe të ecim përpara. Mendoj që LDD-ja është gati e përgatitur për të dalë në opinion dhe mund të them që jemi kthyer në suksesin fillestar që e kishim kur e themeluam LDD-së, sepse një pjesë e njerëzve që ishin lodhur duke qenë ditën me LDD-në e natën në shtratin e ndonjë partie tjetër, për fat tonin janë liruar prej asaj lodhje dhe është konsoliduar partia dhe mendoj se jemi të gatshëm për ndeshjet që e presin në dy vitet e ardhshme LDD-në.
Kosovapress: Çka konsideroni se keni përmirësuar gjatë këtyre viteve, duke e pasur parasysh që sigurisht diku ka gabuar LDD-ja pasi ka mbetur jashtë Kuvendit?
Daci: Unë besoj që gabimi numër një ka qenë kryetari i LDD-së dhe kryesia qendrore. Dukeshim sikur ndërtimtarë të Urës së Shenjtë në mitologji. Ditën ndërtohej, arrihej një rezultat dhe natën shembej ajo. Kjo u hetua dhe u pa në radhë të parë nga kryesia qendrore sepse lobonin natën individualisht një pjesë e njerëzve të besuar të LDD-së, prej nënkryetarëve e teposhtë. Atë jemi munduar ta tejkalojmë, jo në një mënyrë të vrazhdë përmes dënimeve, por duke i dhënë argumentet, sepse pos shtëpisë tënde, nëse e ke krijuar me vullnet, asnjë shtëpi tjetër nuk krijon ngrohtësi. Në këtë na ka ndihmuar shumë gjendja reale që është në të gjitha partitë në Kosovë. Unë nuk mund të them që jemi mirë, ose më mirë, por objektivisht kur i krahasojmë të gjitha partitë mendoj që kemi krijuar një unitet veprues më njerëzor se që dominon në partitë tjera dhe për mua ky është rezultati më i madh i mundshëm.
Kosovapress: Ata nënkryetarë që i përmendët që kanë lobuar, sot disa prej tyre janë në LDK, a do të thotë se ata nuk janë ndier mirë në LDD, apo kanë pasur qëllim që t’i bashkojnë LDD-në e LDK-në?
Daci: Jo, ata kanë pasur qëllim mos po marrin ndonjë post të drejtoratit nëpër komuna, ose në qeverisjen nacionale dhe çojnë tani porosi të zhgënjimit maksimal, sepse përgjigja e fundit e subjekteve tjera ka qenë ‘shkoni kërkoni librezën e anëtarësisë në mahallën e katundit tuaj’ dhe kanë mbetur askund. Do të thotë në një mënyrë i kanë zhgënjyer shokët më të afërt të vetit dhe ajo sjellje tani ka krijuar një unitet në LDD.
Kosovapress: Po thoni se keni arritur në stadin fillestar të zhvillimit, kur LDD-ja megjithatë e ka pasur një fuqi politike, mirëpo publikisht janë parë dalje nga LDD-ja e jo prurje?
Daci: Motoja ishte në kryesinë e fundit qendrore që ishte shumë e fuqishme që të punojmë për shtëpinë tonë, sikur kur e themeluam dhe me atë punë të përbashkët arritëm që 11 për qind të votave t’i kemi dhe ta ndërpresim që të jemi fizikisht në LDD dhe të punojmë për ndonjë subjekt tjetër. Rreth kësaj është krijuar fuqishëm një përkrahje me një bindje jo me pagesë, sepse LDD-ja nuk mund të punësojë, nuk paguan asnjë njeri duke filluar nga kryetari, por me sinqeritetin që është krijuar. Më lejoni të them se vetëm 13 për qind të qytetarëve të Kosovës janë të kënaqur me qeverisjen politike në Kosovë, ndërsa 57 për qind, janë ekstremi që asgjë nga kjo qeverisje nuk i pëlqen. Brenda kësaj po mundohemi të krijojmë një mjedis pune, të ofrimit të qytetarëve të Kosovës për një profesionalitet të ecjes në përmirësim të krejt qenies në Kosovë.
Kosovapress: Nëse LDD-ja si parti opozitare e LDK-ja si parti në pushtet nuk kanë mundur të afrohen pavarësisht përpjekjeve nga individët nga të dy palët, tani kur të dyja janë opozitë, pse nuk mund të afroheni, apo kemi të bëjmë këtu më shumë me interesa të ngushta të individëve apo grupeve brenda dy subjekteve?
Daci: Dua ta them shumë qartë se LDD-ja i kishte bërë një shkresë zyrtare ish kryetarit të LDD-së, profesor Sejdiu dhe nuk është arritur përgjigja në kohën e duhur dhe në atë kohë ka përfunduar çdo interes strategjik i LDD-së që të priste kur do të përgjigjet dikush. Do të thotë nuk është në agjendën e punës ajo. LDD-ja dëshiron ta lërë të qetë çdo parti, e të merret me telashet e veta. Unë besoj që të gjitha partitë edhe ato parlamentare kanë mjaft telashe. LDD-ja është e vogël, nuk e ka koncept politik as kombëtar të gërmuç në lëkurën e tjetërkujt. Prandaj nuk do të merremi më asnjë sekondë me atë. Nëse etapat e ardhshme krijojnë oferta të cilitdo subjekt politik, me sinqeritet do t’i shqyrtojmë.
Kosovapress: Në fakt edhe ditëve të fundit ishte njëlloj oferte publike nga LDD-ja për LDK-në, e cila është refuzuar nga udhëheqja e LDK-së?
Daci: Po ju them me përgjegjësinë njerëzore, nga LDD-ja nuk ka pasur ofertë dhe krejt ai partizanllëk që është bërë, është ndonjë mendim individual me të cilin unë nuk polemizoj. Qëndrimi i LDD-së është ky dhe LDD-në e përfaqëson kryetari dhe kryesia. Nuk ka pasur as në kafe pune diçka të tillë, se jo më në mbledhje të LDD-së. Mund të jenë vullnete pozitive të anëtarëve të caktuar, por jo ta përfaqësojë LDD-në.
Kosovapress: A ka në LDD mungesë të kontrollin tek degët dhe tek asamblistët e LDD-së, ngase është raportuar për kalimin e degëve të tëra në LDK, ndërsa ditë më parë nga një mbledhje e kryesisë së LDD-së ka dalë mundësia për distancimimin e asamblistëve që nuk përfillin politikat e partisë?
Daci: Unë mendoj që ka mungesë të komunikimit njerëzor demokratik brenda degëve. Kryesia e degës në një qendër nuk komunikon me asambleistët e vetë në mënyrën e duhur. Është vendosur që të fillojmë të mbajmë takime me asambleistët e LDD-së në Kosovë është një numër jo i vogël. Është komplet një qasje e re, sepse po më duket me fajin tim, është krijuar një anarki, duke menduar se çdo njeri ka marrë për vete votat.
Kosovapress: Si rrallë ndonjë lider politikë, ju vazhdimisht po e fajësoni veten pse LDD-ja ka mbetur jashtë Kuvendit, faj për mungesën e komunikimit, megjithatë njerëzit kur ndjejnë faj largohen, ua lëshojnë radhët të tjerëve, por kjo nuk ka ndodhë tek ju?
Daci: Po, do të ndodhë, ose ka ndodhur në momentin kur ka një element që diku brenda LDD-së adresohet ose paraqitet si mendim demokratik ndonjë anëtar nga ndonjë kryesi e degëve, ose në kryesinë qendrore, atëherë do të ishte një lehtësi e imja ta përqafojë me kënaqësi. Unë e kam përkrahur idenë që LDD-ja të futet në zgjedhje, prej kryetarit, këshillit kombëtar dhe të gjithëve dhe kam thënë se do të jetë kënaqësia ime shumë e madhe të kemi kandidat për gjithçka duke filluar nga kryetari i LDD-së. Deri më sot nuk ka pasur në LDD një zë dhe atë moment që do të krijohet unë jam shumë i gatshëm që ta vendosi në rend dite dhe të eci.
Kosovapress: A jeni të gatshëm si parti për zgjedhjet presidenciale?
Daci: Si parti jo, nuk e kemi diskutuar. Kemi biseduar individualisht, por asnjëherë dhe pa marrë qëndrim partia, unë nuk do të dal të them se LDD-ja ka vendosur. Unë kam thënë se jam i përgatitur, në momentin kur të jetë koha kushtetuese e paraqitjes së kandidaturave, unë do të jem i gatshëm në qoftë se konsultimet që kam thënë se duhet të jenë intensive me shoqërinë akademike, me shoqërinë civile dhe me subjekte politike që janë si parti që mund të përkrahin ose mos të përkrahin. Nuk preferoj që presidenti i ardhshëm të jetë i ngjyrosur me një ngjyrë. Në ato raste besoj që unë do të abstenoj prej kandidaturës. Normale do të jetë nën një në rend të parë, a ka unitet brenda shtëpisë tënde dhe nëse LDD-ja do të kishte mendim tjetërfare unë do t’i përshtatesha, sepse nëse nuk e do të parin shtëpia e vetë, ku dreqin ki me thy qafën me lyp. Tek unë jam kriteret e qarta, prandaj po them po presim ndryshimet kushtetuese. Unë po e përgatis veten dhe mjedisin akademik, profesional, njerëzor, të dëgjoj mendimin e të tjerëve, dhe në qoftë se ka vullnet, unë jam i gatshëm t’iu ofrohem shtetasve të Kosovës dhe shqiptarëve kudo që janë. Koncepti im politik është ky, koncepti im profesional për secilën çështje është ky dhe mendoj se e kam vërtetuar tërë jetën se jam një urë e shkëlqyeshme për të krijuar unitete vepruese.
Kosovapress: Keni thënë se nuk dëshironi kandidat i LDD-së, do të thotë se nuk dëshironi ta përfaqësoni vetëm LDD-në, kush prisni t’iu kandidojë, ngase janë paraparë disa forma të kandidimit?
Daci: Unë e konceptoj që do të jetë një simbiozë e të gjithë këtyre faktorëve, por nën një do të jetë përkrahja e LDD-së. Po mungojë ajo përkrahje, nuk do të jenë të mjaftueshëm të tjerët.
Kosovapress: A keni filluar të bisedoni për ta krijuar këtë simbiozë?
Daci: Unë besoj kaherë dhe jemi në faza shumë të avansuara.
Kosovapress: A e shihni pengesë të kandidaturës suaj së pari faktin që LDD-ja është një subjekt që vazhdimisht ka pësuar rënie, së dyti që ju dhe bashkëpunëtorët tuaj jeni përballur me një proces gjyqësor për keqpërdorime gjatë kohës sa keni qenë kryeparlamentar?
Daci: Jo, asnjëra nuk qëndron kështu. Unë do të jem i vetmi kandidat që kam dokument që më lejohet veprimtaria politike. Një rezultat që nuk e kanë pritur ata që e kanë mbështjellur dhe e kanë formuar atë proces gjyqësor. Në fund megjithatë ka triumfuar. Merreni me mend për 1550 euro të cilat kurrë nuk i kam parë, kurrë nuk i kam kërkuar, nuk i kam nënshkruar apo konsultuar, ka qenë shkalla e parë që i ndalohet veprimtaria për një vit e gjysmë apo dy, dhe unë kam qeshur. Në fund është hequr ajo me vendim të Gjykatës Supreme. Sa i përket LDD-së, po, por ndonjëherë ekipi luan dobët dhe një lojtar që nuk krijon rezultat, se lojtari mund të jetë briliant nuk e fiton ndeshjen, por mund të jetë lokomotivë edhe për LDD-në kandidimi im mund të jetë motiv që të ngjallet, sepse tani e ka arsyen, në qoftë se beson në liderin e vetë, duhet të punojë për veten në të gjitha nivelet duke filluar nga kryesia qendrore deri te aktivi më i skajshëm i mahallës.
Kosovapress: Megjithëse jeni parti jo shumë aktive, sigurisht zhvillimet politike në vend i ndiqni, a mund të na thoni, si i vlerësoni dy procese të rëndësishme në Kosovë, zhvillimet në veri të vendit dhe procesin e dialogimit me Serbinë?
Daci: Unë i kam dy skajshmëri në këto vlerësime. Një kohë para qershorit s’kam pasur asnjë dioptri pozitive të qasjes së qeverisë në veri. Në qershor e kam përgëzuar atë hap që e ka ndërmarrë, edhe pse kam qenë shumë i vetëdijshëm dhe e kam shprehur se nuk ka pasur një konsensus, një përgatitje vendore për të pasur sukses më të madh. Megjithatë nuk e konsideroj në asnjë mënyrë si hap dështues. Për këtë mendoj dhe jam i bindur se ka qenë hap shumë pozitiv. Përceptimi im është që prej atëherë puna politike e qeverisë, nuk e vlerësoj me notë negative. Vërejtja ime është që kjo qeverie, nuk po gjen forcë shpirtërore, politike dhe kombëtare, të krijojë unitet për një çështje që nuk na paraqitet më në histori. Nuk e di a është frika, a është këshillë miqësore nga brenda apo nga jashtë. Kjo është vërejtja ime kryesore, megjithatë, veprimi i përgjithshëm i qeverisë në radhë të parë është rruga e bisedave që po zhvillohen në Bruksel, nuk dua të jem shumë cikërrimtar dhe të gjejë pse nuk është Hasani apo Hyseni, por kur një proces po përfaqësohet në vijën e vetë të mirë, unë kam mendim pozitiv. Unë do të sugjeroja që kreu i Qeverisë të ketë një gjerësi shumë më të madhe njerëzore dhe shpirtërore dhe të krijojë ambient ku do të kyçej opozita, sepse nuk vijnë raste të shpeshta të këtilla. Këtu është një vërejtje kryesore dhe këtë mosunitet po e shfrytëzon racionalisht pala e Beogradit dhe ata që nuk janë për pavarësinë e Kosovës.
Kosovapress: Po veprimet e mëtejme të Qeverisë si i vlerësoni, ato pas 25 korrikut?
Daci: Shikoni, unë ndonjëherë mundohem të izolohem pak. Kosova nuk është pavarësi normale. Kosova është pavarësi e mbikëqyrur. Disa elemente të budallisë në radhë të parë të njeriut të parë që ishte në Kosovë dhe e qeverisjes në përgjithësi, kur i është dhënë autorizim ekzekutiv një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, ajo pastaj ka bërë që në asnjë pikë ti nuk je i pavarur. Unë mundohem ta kuptoj që Qeveria megjithatë nuk i ka duart e lira si një qeveri normale. Unë do doja ta shajë, por nuk e kam atë nivel as të kulturës as të edukatës dhe mundohem të jem jo i ngjyrosur me ngjyrë partiake. Po mundohem që krejt gafet që janë bërë në veri, pas asaj date, t’i kuptoj si mungesë e kapaciteteve, qoftë të lirisë institucionale, qoftë edhe të mundësisë reale.