E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni takon BanKi Mun: Rezoluta1244 te ndryshohet

NEW YORK- Ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, sot në Nju Jork, është takuar me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.

Në këtë takim, ministri Hyseni ka kërkuar zëvendësimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ka shpjeguar se kjo kërkesë mbështetet në ndryshimin rrënjësor të rrethanave pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka njoftuar Ministria e jashtme e Kosovës.

Nga ana e tij, sekretari Ban ka thënë se zëvendësimi i Rezolutës është një çështje që duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit, dhe i cili është kompetent për të vendosur për këtë.

Po ashtu, ministri Hyseni ka bërë të qartë qëllimin final të Republikës së Kosovës për t'u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sekretari Ban, nga ana e tij, ka thënë që është i njohur me aspiratat e Kosovës për t'u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Gjatë ditës, ministri Hyseni do të vazhdojë serinë e takimeve me përfaqësues të përhershëm nga vende që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, si dhe me përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, që kanë misione pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›