Hysi kërkon këndellje

Të mërkurën do të zhvillohet xhiroja e shtatë e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa ndeshje interesante. Por, kryendeshja e kësaj xhiroje do të zhvillohet në Merdarë, ku do të ballafaqohen dy skuadrat të cilat sivjet e synojnë titullin e kampionit, Hysi dhe Trepça ‘89
Hysi nuk e ka nis mirë këtë sezon. Kampioni aktual deri më tani i ka shënuar vetëm dy fitore dhe një herë ka barazuar, derisa i ka pësuar tri disfata. Pas dy humbjeve të njëpasnjëshme dhe pas një tjetër barazimi, bardhezinjtë do të përpiqen ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit dhe t’u kthehen fitoreve, pasi aktualisht zënë vendin e shtatë në renditjen tabelore me vetëm 7 pikë të tubuara.
“Edhe pse luajtëm baras në ndeshjen e fundit si mysafirë të Vëllaznimit, ai takim na ka kthyer motivin dhe vetëbesimin për ndeshjet e radhës, sepse kemi luajtur tepër mirë dhe kemi mundur të fitojmë. Andaj, tani do të luajmë me Trepçën ’89, e cila tradicionalisht na ka shkaktuar probleme. Tani ai ekip është akoma më i përforcuar dhe sigurisht se do ta kemi tepër të vështirë. Por, ne do të angazhohemi secili më shumë sesa tjetri për ta shënuar një fitore, e cila do të ishte shumë e madhe për ne”, deklaroi për Express trajneri i llapjanëve, Fadil Ademi.
Ai për këtë ndeshje nuk do të mund të llogaritë në armën kryesore të tij, kapitenin Mentor Zhdrella, i cili është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen kundër Vëllaznimit.
Mirëpo, kampionët nuk do ta kenë aspak lehtë ta arrijnë objektivin, pasi, përveç që do të luajnë pa kapitenin e tyre, përballë do ta kenë Trepçën ’89, e cila më mirë e ka nis këtë stinor.
‘Xehetarët’ deri më tani e kanë pësuar vetëm një humbje, kurse dy herë tjera kanë barazuar, derisa i ka regjistruar tri fitore. Mitrovicasit aktualisht radhiten në vendin e tretë në tabelë me 11 pikë, andaj ata synojnë t’i fitojnë pikët e plota edhe në Merdarë.
“Hysi po kalon nëpër një krizë të rezultateve, por nuk ka krizë në lojë sepse po luan shumë mirë. Vërtet mungesa e Zhdrellës është një mungesë e madhe për Hysin, i cili megjithatë ka fond të madh të lojtarëve. Realisht mungesa e Zhdrellës neve na motivon më tepër dhe na nxit të jemi më kërkues. Jemi duke shkuar mirë dhe, sikurse në çdo ndeshje tjetër, edhe në këtë takim do të hyjmë për fitore, por duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje. Mirëpo, edhe barazimi do të ishte i mirëseardhur për ne sepse jemi mysafirë të kampionit”, tha trajneri mitrovicas Gani Sejdiu.
Superliga – Xhiroja e 7-të
E mërkurë
Gjilani – Liria
Besa – Drenica
Trepça – Drita
KEK-u – Prishtina
Lepenci – Vëllaznimi
Hysi - Trepça ‘89
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00