E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët në zemër

Pas përfundimit të eliminatoreve për Euro 2012 do të qartësohet edhe e ardhmja e Josip Kuzes. Pavarësisht se a do ta vazhdojë kontratën apo jo, strategu kroat thotë shqiptarët do t’i mbesin përgjithmonë në zemër. Sipas strategut kroat, Shqipëria ka mundur të arrijë më shumë gjatë këtyre eliminatoreve, derisa beson se kuqezinjtë kanë mundësi të ndërtojnë një ekip të mirë në të ardhmen. Nga Express më 28 shtator 2011 në ora 14:01

Josip Kuze të paktën edhe në dy ndeshje, kundër Francës dhe Rumanisë, do ta drejtojë Kombëtaren shqiptare. Se a do ta vazhdojë ta udhëheqë ekipin kuqezi edhe pas eliminatoreve të Euro 2012, trajneri kroat nuk e di as vetë.

Pavarësisht se a do ta vazhdojë kontratën apo jo, strategu kroat thotë se Shqipëria dhe shqiptarët do t’i mbesin përgjithmonë në zemër. 58-vjeçari thotë se pas gjakderdhjes që pati në tru e kuptoi se kush janë shqiptarët.

“Ishte një periudhë shumë e vështirë për familjen time, por edhe për FSHF-në. Më duhet të pranoj se në ato momente nuk e kuptoja se në ç’vështirësi gjendesha. E dija që diçka nuk po shkonte mirë me mua, por nuk e merrja kaq shumë seriozisht. U ndërgjegjësova që situata nuk kishte qenë e thjeshtë, por nga ana tjetër zbulova shpirtin e vërtetë të shqiptarit. Shumë njerëz dëshironin që gjendja ime shëndetësore të përmirësohej”, ka thënë Kuze në një intervistë për ‘SuperSport’

“Pas eksperiencave që kam pasur, pas disa vitesh, kur të kthej prapa shiritin e kujtimeve të mia, Shqipëria do të ketë një vend të veçantë. Një pjesë e kujtimeve më të bukura do të jenë ato që kam pasur me tifozërinë kuqezi. Unë jam krenar për lidhjet që kam krijuar me shqiptarët. Është diçka shumë e veçantë, të cilën do ta kujtoj gjatë gjithë jetës sime”, ka rrëfyer Kuze.

Përpara ndeshjeve të muajit shtator, kroati dukej pranë konfirmimit në krye të bankinën kuqezi, megjithatë humbja me Francën, e mbi të gjitha ajo me Luksemburgun, ka vënë në dyshim të ardhmen e 58 vjeçarit.

“Deri në ndeshjen me Luksemburgun nuk kam pranuar të flas me askënd për kontratën. Por aty ndjeva nevojën të flisja, pasi ajo disfatë nuk ishte e lehtë për t’u kapërdirë. Gjithsesi, të gjithë njerëzit me të cilët kam biseduar, qoftë edhe presidenti Duka, më kanë këshilluar të mos flas për kontratën, pasi ky nuk është një moment i mirë. Për këtë arsye kam vendosur të jap maksimumin në dy ndeshjet e mbetura dhe më pas do të ulemi e të bisedojmë, të analizojmë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, deklaroi trajneri.

Ish trajnerit të Dinamo Zagrebit tregon se mandati i dytë është shumë më i vështirë për trajnerin, pasi duhet të jetë 100 për qind rigoroz. Sipas tij, Shqipëria i ka mundësitë për të ndërtuar një ekip të mirë edhe në të ardhmen.

Në anën tjetër, Kuze ka folur edhe për ecurinë e ekipit kombëtar në eliminatoret për Euro 2012.“Franca, Rumania, Bosnjë-Hercegovina dhe Bjellorusia janë skuadra më të mira se Shqipëria, megjithatë ne dëshironim të arrinim diçka më shumë. Ndoshta mund të kishim bërë ndeshje më të mira dhe të ishim më mirë në renditje se njëra nga këto skuadra. Ne jemi në vendin e pestë në renditje dhe ky është realiteti. Gjithsesi, për mendimin tim, mund të bënim diçka më shumë”, theksoi Kuze.

Përveç kësaj, kroati ka shpjeguar përse zgjodhi të mbështetej te lojtarët e vjetër dhe tregon problemin e Shqipërisë. “Mund t’u kisha besuar të rinjve, por nuk ishte koha e përshtatshme, pasi sapo ishte larguar trajneri i mëparshëm. Zgjodha lojtarët më të mirë dhe vazhdova me ta. Pas eliminatoreve, Shqipëria do të ketë pothuajse një vit kohë për t’u përgatitur për Botërorin 2014, të zhvillojë miqësore, të gjejë lojtarë të rinj dhe një frymë të re. Kombëtarja luan gjithmonë me entuziazëm, ajo që mungon është përqendrimi”, u shpreh Kuze.

Për trajnerin kroat ndeshja më e mirë në Euro 2012 ishte fitorja 1:0 me Bjellorusinë në Tiranë, ndërsa më e keqja për të padyshim se është humbja e fundit nga Luksemburg.

Në fund Kuze ka mohuar që brenda ekipit të ketë pasur ndonjë konflikt mes lojtarëve për shiritin, ndërsa theksoi se marrëdhëniet me kreun e FSHF-së, Armand, janë shumë të mira.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›