E Shtunë, 31 Tetor 2026

E shtyjnë për një javë

Edicioni i ri i garave në BKT-Superligë është shtyrë për 8-9 tetor. Këtë vendim e ka marrë Federata e Basketbollit e Kosovës, pasi klubet nuk ishin të përgatitura siç duhet për t’i nisur garat në këtë fundjavë. Nga Express më 28 shtator 2011 në ora 12:19

Ashtu siç është pritur, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka vendosur që fillimi i edicionit të ri në BKT-Superligën e Kosovës të shtyhet për një javë.

Në fakt, sezoni i ri ishte paraparë që të nisë këtë fundjavë, por skuadrat nuk ishin të gatshme ta bëjnë një gjë të tillë për shkak se nuk ishin përgatitur siç duhet. Andaj, bordi i FBK-së, në mbledhjen e vet të mbajtur të hënën mbrëma, e ka miratuar kërkesën e përfaqësuesve të klubeve, që sezoni i ri të nisë më 8 dhe 9 tetor.

“U aprovua kërkesa e përfaqësuesve të klubeve të BKT Superligës, e shtruar në takimin e
mbajtur me zyrtarët e lartë të FBK-së më 22 shtator, për shtyrje njëjavore të fillimit
të kampionatit për edicionin 2011/2012, e arsyetuar me vonesën e renovimit të fushave të
palestrave dhe pamundësinë e ambientimit dhe përgatitjes së duhur të skuadrave”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga shtëpia e basketbollit kosovar.

“Fillimi i edicionit i përcaktuar për datën 1 dhe 2 tetor, në mbledhjen e bordit u shty për 8 dhe 9 tetor, konform kërkesës së përfaqësuesve të klubeve, ndërsa në po këtë
datë do të fillojnë garat edhe në ligat tjera, përveç Ligës së Parë të Kosovës, e cila do të
fillojë më 22 tetor, me arsyetim të konsolidimit më të mirë të skuadrave”, theksohet në këtë kumtesë.

Në këtë komunikatë thuhet se kryetari i FBK-së, Fatmir Gashi, e ka pranuar dorëheqjen e anëtarit të bordit, Ismet Rexhepi. Ndërkohë, në vend të Rexhepit, anëtar të ri të bordit të FBK-së, Gashi e ka emëruar ish basketbollistin e njohur kosovar, Blerim Vuniqin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›