Hysi ndërron qasjen

Viteve të fundit Hysi ishte njëri prej ekipeve më aktivë sa i përket transferimit të futbollistëve cilësorë. Mirëpo, ky trend duket se ka marrë fund për ekipin llapjan, i cili këtë verë e ka ndërruar qasjen.
Në fakt, skuadra bardh e zi tash e tutje do të mundohet ta ndërtojë ekipin me futbollistë të rinj dhe të talentuar, të cilët pas disa vitesh do ta krijojnë një ekip cilësor dhe konkurrues. Me angazhimin e trajnerit Hysni Maxhuni, skuadra nga Merdara i ka filluar përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa aty janë parë emra të rinj që janë marrë nga skuadra e juniorëve.
Ndërkohë, nga ish kampioni i Kosovës janë larguar pjesa dërrmuese e lojtarëve si Yll Hoxha,
Mentor Zhdrella, Besar Musolli, Burim Sadiku, Florim Bërbatovci, Fidan Hasani, Mirsad Idrizi, Leotrim Krasniqi e Agon Ramadani.
“Do të përqendrohemi tek lojtarët e rinj, që ta ndërtojmë një ekip të ri dhe perspektiv. Një ekip që do të jetë stabil dhe që do të gjendet në pozicionet e larta të tabelës. Dyert te Hysi janë të hapura, do të kërkojmë lojtarë nga rrethina, pasi që Llapi ka lojtarë mjaft të talentuar”, deklaroi trajneri mitrovicas.
Ai nuk e përjashtoi mundësinë e përforcimeve nëse gjendet ndonjë lojtar kualitativ, por që ‘brumi’ i skuadrës do të nxirret nga Llapi. “Ne kërkojmë lojtarë që përpos kualitetit, të jenë edhe të disiplinuar. Do të punojmë që ta kemi një shkollë të fuqishme të futbollit, që pas disa vitesh të shihen rezultatet”, vijoi trajneri i njohur kosovar. Hysi e mbylli sezonin e fundit në pozitën e pestë me 47 pikë të grumbulluara.
Mbetet Osmani, provohen disa të rinj
Derisa pjesa dërrmuese e ekipit të parë ka vendosur ta braktisë skuadrën bardh e zi, ai që i ka mbetur besnik këtij klubi është Labinot Osmani. Sulmuesi vushtrrias e ka vazhduar për një vit kontratën. Këtë e ka konfirmuar trajneri i Hysit, Hysni Maxhuni. Ndërkohë, në skuadrën llapjane po provohen edhe disa lojtarë të rinj nga klube të ndryshme të Kosovës, të cilët do të marrin përgjigje nëse do të mbeten apo jo pas një jave.
“Me Labinotin do ta vazhdojmë bashkëpunimin edhe për një vit, ndërsa po i provojmë edhe disa lojtarë tjerë dhe disa juniorë që kemi. Nëse i tregojnë vlerat e tyre, do të mbeten me ne. Janë lojtarë të rinj me perspektivë”, përfundoi Maxhuni.