E Diel, 1 Nëntor 2026

I akuzuari: Policia kishte marrë peng dy persona

Qafë Gjashta,

Nestor Sinani, një nga të pandehurit e procesit, hodhi akuza ndaj policisë, për ngjarjen por mohoi të ishte përfshirë në të


Një oficer policie na tha: Çuna jemi vëllezër nga Vlora, ndërsa më pas u hodhën granata dhe pati breshëri

TIRANË- Procesi gjyqësor për masakrën e 4 marsit 1997, në Qafë Gjashtë vazhdoi dje ndaj 10 të akuzuarve për këtë ngjarje, ku u dëgjua "rrëfimi" i të pandehurit Nestor Sinani, një nga të pandehurit e çështjes. Për rreth një orë, ai tregoi versionin e tij për ngjarjen e 4 marsit 1997. Ai foli për rreth një orë për ngjarjen e 4 marsit '97, ku mbeti i vrarë dhe më pas iu dogj trupi punonjësit të policisë Gjergji Mehmeti, një tjetër që mundi të shpëtonte u plagos, si dhe u mor peng polici Eduart Aliaj për disa ditë.


"Ditën e ngjarjes, kam qenë në punë tek karburanti në afërsi të vendit të quajtur "Qafë Gjashtë". Aty isha bashkë me vëllanë dhe pronarin, ndërsa në rrugë poshtë karburantit ishin disa persona. Ishte pasdite, kur erdhi një mjet me Armando Hysën brenda.


Ai zbriti dhe tha: po vijnë dy makina pa targa dhe njëri ka marr peng Bubeqin dhe Fatos Mahmutajn. Pas këtyre fjalëve ai u largua. Menjëherë pas tij, erdhën dy makina, nga e para doli një person dhe tha "çuna mos keni frikë jemi vëllezër nga Vlora"-tha Sinani, duke iu referuar ish-hetuesit të krimeve Sokol Bizhga.


"Në atë moment u hodhën dy granata, një në drejtim të një motori që kalonte rastësisht dhe tjetra nga turma e njerëzve.


Pas granatave nisi breshëria e armëve. Unë u largova dhe u fsheha në bodrumin e karburantit bashkë me vëllanë Vladimir Sinanin, pronarin dhe djalin e tij"- tregoi i pandehuri, duke mohuar në mënyrë kategorike se ka qëlluar ai apo vëllai i tij në drejtim të mjeteve të policisë. "Pasi pushoi zjarri dolëm dhe pamë një makinë që digjej, në të cilën ishte një person. Mora vesh që një tjetër ishte plagosur dhe kishte ikur. Një të tretë e kishin kapur poshtë rrugës të fshehur.


Vëllai Vladimiri, tentoi të afrohej te makina por nuk e lejova unë duke urdhëruar të rrinte në karburant"-tha Sinani. "Më pas aty erdhi një ambulancë e spitalit, shoferin e të cilës vëllai Vladimiri e ndihmoi të nxirrte trupin e personit të djegur, për të cilin mësuam se kishte qenë polic. E vendosën në ambulancë dhe u larguan edhe turma me njerëz me personin e marrë "peng".


Më tej ai vazhdoi: Di që gjithë Saranda më pas është mbledhur në një miting në qendër të qytetit, ku unë nuk kam shkuar për shkak se nuk më pëlqente se ata kërkonin rrëzimin e qeverisë dhe unë isha dhe jam me Partinë Demokratike"-tha Nestor Sinani, duke i kërkuar prokurorisë pyetjen si dëshmitar të Eduart Aliajt, i marrë "peng" për disa ditë në Sarandë


"Ai është i vetmi dëshmitar okular i ngjarjes dhe duhej të ishte thirrur si dëshmitar nga akuza, pasi është i vetmi që mund të zbardhë këtë ngjarje,- tha i pandehuri, duke këmbëngulur se pas ngjarjes kishte qëndruar në karburant. Seanca u shty për të vazhduar javën që vjen me pyetjen e të pandehurve të tjerë.


Për këtë ngjarje akuzohen Vladimir e Nestor Sinani, Eduart Çipa, Alqi Paguni, Edmond Sejko, Mikel (Flamur) Këndezi, Arben Këndezi, Agron Qurku, Aleksandër Bala e Ristan Lapa. Të gjithë akuzohen për "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese", ndaj punonjësit të policisë "vrasje në rrethana të tjera cilësuese" e mbetur në tentativë, ndaj punonjësve të policisë në bashkëpunim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›