E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi "do miratojë" 17 ligje brenda një dite

Kuvendi, seancë maratonë, përveç diskutimeve të deputetëve do të kërkohet miratimi i 17 ligjeve, tetë prej tyre me shumicë të cilësuar. PD vendos në axhendë edhe ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror


TIRANË - Në kulmin e negociatave politike në vend, mazhoranca sfidon opozitën duke futur në axhendën e seancës plenare të ditës së sotme 17 ligje, midis të cilave edhe tetë ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar.


Me këtë veprim, të djathtët shpresojnë në dhënien e votës nga socialistët, si shenjë lëshimi për konsensusin e ofruar për Komisionin e ri Hetimor. Zhvillimet në seancën e sotme parlamentare pritet të jenë një maratonë e vërtetë, ku mazhoranca dhe opozitës do të kenë shumë për të diskutuar.


Për shkak edhe të mbarimit të sesionit parlamentar brenda pak ditës, mazhoranca bën në këtë mënyrë një përpjekje për të miratuar ligjet e "mbetura" në sirtar. Shumica qeverisëse është në dijeni të qëndrimit të shprehur nga socialistët, por në këtë mënyrën kërkojnë një lëshim nga socialistët për t'i dhënë atyre konsensusin për ndryshimet e kërkuara prej tyre.


Të paktën 12 orë debate do të zhvillohen ditën e sotme në seancën plenare të Kuvendit. Ajo do të ketë gjithashtu edhe një axhendë të ngjeshur politike, pasi shumë gjëra mund të ndodhin. Kjo u la qartë të kuptohej edhe nga takimi i dytë zyrtar midis kryetarit i grupit të PD, Astrit Patozi dhe kreut të grupit të PD, Gramoz Ruçi.


Të dy negociatorët kanë lënë një tjetër takim për ditën e sotme, që do të varet kryesisht nga debati politik që do të zhvillohet në seancë dhe vullneti i opozitës për të dhënë konsensusin e nevojshëm për ligjet me shumicë të cilësuar.


Miratimi i 17 ligjeve të sjella në Kuvend është edhe sfida e radhës së mazhorancës. Takimi i radhës midis dy negociuesve do të zhvillohet gjatë punimeve në seancën plenare.


Kjo sjell dhe njëherë në vëmendje kërkesën e demokratëve për dhënien e konsensusit nga socialistët. Por, gjithçka do të varet nga lëshimet që demokratët pritet të bëjnë për çështje thelbësore ku kanë ngelur negociatat, hetimin e zgjedhjeve përmes fletëve të votimit.


Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i opozitës për mënyrën se si do të veprohet për fletët e votimit, por do të presë nëse ka një reflektim nga demokratët për një nga opsionet e propozuara prej tyre. Në një rast të tillë, gjithçka mund të pritej, pse jo dhe votim i ligjeve me shumicë të cilësuar në këmbim të hetimit të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.


Krahas kësaj, shumë ligje, për të cilat do të diskutohet sot, kanë marrë kritika të ashpra nga socialistët. Një ndër ta është ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror. Ky ligj është kundërshtuar nga opozita dhe faktori ndërkombëtar, përfshi këtu edhe NATO-n.


Në rrugë jozyrtare PD është shprehur se nuk do ta kalojë këtë ligj për miratim por vendosja e tij në axhendën e seancës së sotme lë shumë pikëpyetje pas. Burime nga PS bëjnë të ditur se i druhen skenarit të sjelljes për miratim të ligjit shumë të debatuar.


AXHENDA E SEANCËS SË SOTME NË KUVEND

1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60').
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 19.07.2010.
3. Projektligj "Për ratifikimin marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar".
4. Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8668, datë 23.11.2000, "Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit", të ndryshuar".
5. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9720, datë 23.4.2007, "Për auditimin e brendshëm në sektorin publik".
6. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë" të ndryshuar".
7. Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr. 9235, date 29.07.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" te ndryshuar".
8. Miratimi i akt normativ nr. 3, date 8.7.2010 "Për disa ndryshime ne ligjin nr. 9643, date 20.11.2006 "Për prokurimin publik" te ndryshuar".
9. Projektligj "Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative".
10. Projektligje "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
11. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit" të ndryshuar".
12. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
13. Projektligje "Për disa ndryshime she shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
14. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 "Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë".
15. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999 "Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
16. Projektligj "Për një shtesë në ligjin nr. 10.040 datë 22.12.2008 "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë".
17. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 "Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë".
18. Votim për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri.
19. Votime të tjera (për zgjedhjen e anëtarëve të KKRT-së).
20. Interpelancë me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, kërkuar nga deputeti Ditmir Bushati.


Opozita dhe OJQ-të, kundër ligjit: Shkel të drejtat bazë të njeriut

Topi dekreton ligjin "Për inspektimin financiar"

TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje shpalljen e ligjit "Për inspektimin financiar publik", i cili është një nga ligjet më të kundërshtuara nga opozita dhe nga shoqëria civile. Sipas përfaqësuesve të qeverisë, ligji i ri i shërben rritjes së përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike.


Për qeverinë, ligji i ri është një instrument për të luftuar korrupsionin. Ndërsa deputetët e majtë shprehen se nëpërmjet këtij ligji qeveria synon kontrollin e institucioneve.


Ky ligj është kundërshtuar edhe nga drejtuesit e organizatave jo qeveritare. Sipas tyre, ligji kërcënon në mënyrë të hapur me gjoba dhe deri në burgim çdo përfaqësues të OJF-ve që mund të dalë kundër Qeverisë dhe përfaqësuesve të saj.


Në peticionin e bërë në qershor, drejtuesit e OJQ-ve pohuan se projektligji ka tendencën që të shkelë një nga të drejtat bazë demokratike, atë të pavarësisë së Organizatave Joqeveritare (OJQ) nga Qeveria dhe institucionet e saj duke theksuar se projektligji shkel në këtë mënyrë edhe të drejtën e lirisë së organizimit, një e drejtë e gdhendur në Kushtetutën e Shqipërisë.


Përveç këtij ligji kreu i shtetit dekretoi edhe ligjit "Për menaxhimin financiar dhe kontrollin" dhe dy marrëveshje, atë për "Ratifikimin e konventës së Qendrës së Zbatimit të Ligjit në Europën Juglindore" dhe ratifikimin e "Marrëveshjes, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut për bashkëpunimin për informacionin atomik".


Mëhilli: Kryeministri Berisha është prekur nga një gjendje febrile gripale, me çrregullime digjestive

Sëmuret Berisha, shtyhet mbledhja e qeverisë


Gjendja jo e mirë shëndetësore e kryeministrit Sali Berisha ka bërë që të mos zhvillohet mbledhja e qeverisë e parashikuar për ditën e djeshme. Në njoftimin zyrtar të Këshillit të Ministrave, zëdhënësja e kryeministrit Erla Mëhilli, njofton se mbledhja e qeverisë e parashikuar për dje, e mërkurë, 21 korrik 2010, u shty për një kohë tjetër për shkak të një gjendje febrile gripale, me çrregullime digjestive që ka prekur kryeministrin Berisha dy ditët e fundit. Sipas saj, gjendja shëndetësore e kryeministrit është në përmirësim.


Dalja e fundit publike e kreut të qeverisë ka qenë data 18 korrik kur shkoi për ngushëllime në Fushë-Arrëz, te familjet e personave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Gjegjan.


Gjendja shëndetësore ka bërë që kreu i qeverisë Berisha të mos jetë prezent as në seancën parlamentare, ku u diskutuan dhe u miratuan në parim ndryshimet në buxhet për gjashtëmujorin e dytë.


Asnjë nga zyrtarët nuk dha publikisht sqarime për mungesën e kryeministrit Berisha në Kuvend, ndërsa nën zë thuhej se kreu i qeverisë është sëmurë. Por, kjo nuk është hera e parë që kreu i qeverisë shtyn mbledhjen e qeverisë.


Në mars, Kryeministri Sali Berisha, i është nënshtruar një ndërhyrjeje të lehtë kirurgjikale në gju. Operacioni u realizua në një nga spitalet private në Tiranë. Ndërkohë, mbledhja, e cila nuk u zhvillua dje, sipas njoftimit të qeverisë, pritet që të zhvillohet gjatë 2 - 3 ditëve në vijim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›