E Diel, 1 Nëntor 2026

I arrestuari misterioz që bashkon Berishën me arabët

Berisha- Ali Evsen

Lidhjet shqiptare të Ali Evsen, pronar i kompanisë Albania Airlines që është arrestuar në Spanjë nën akuzën për pastrim paresh. Lidhjet e tij me Azerbaxhanin, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Berishën

TemA

Kryeministri Sali Berisha po vihet nën vëmendje ndërkombëtare për shkak të lidhjeve të tij private me një biznesmen të arrestuar në Spanjë, një javë më parë nën akuzën për pastrim parash dhe lidhjen me familjen Mubarak. Ali Evsen, tashmë dhe me shtetësi shqiptare, është arrestuar  me akuzën pastrim parash, dhënie rryshfeti dhe korrupsion. Ai është  pronari i kompanisë ajrore shqiptare Albanian Airlines. Ali Evsen u arrestua së bashku me një biznesmen egjiptian, Hysejn Salem, një nga njerëzit më të afërt të ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak dhe djalit të tij Khaled Salem.

Nga hetimet ka rezultuar se Evsen kishte hyrë garant me anë të kompanisë së tij për të nisur paratë në drejtim të familjes Salem në Egjipt.

Gjykata e Lartë spanjolle kërkon për lirimin e Evsen garancinë prej 18 milionë euro, ndërsa për biznesmenin Salem dhe djalin e tij 30 milione euro.

Kryeministri Berisha e ka pritur në një takim Evsen, së bashku me Princin e Arabisë Saudite, Mansour Bin Mogrin Bin Abdulaziz Al Saud. Ali Evsen është paraqitur në këtë takim nën kartviztën e Presidentit të Grupit të kompanive EVSEN. Në një njoftim të agjensisë shtetërore të lajmeve ATSH në muajin tetor të vitit të kaluar thuhet se kompania EVSEN e Arabisë Saudite e ka përfshirë Shqipërinë në hartën e biznesit të saj, si një vend strategjik, nyje lidhëse e vendeve nga Europa Jugore përtej oqeaneve, në Azi e vende të tjera.

Lajmi është bërë i ditur sot nga Princi i Arabisë Saudite, Mansour Bin Mogrin Bin Abdulaziz Al Saud dhe Dr. Ali Evsen, President i Grupit të kompanive EVSEN, në një takim që patën në Tiranë me kryeministrin Sali Berisha në Tiranë.  Princi i Arabisë Saudite i përcolli kryeministrit përshëndetjet dhe urimet e Mbretit Abdullah dhe premtimin për të vazhduar më tej investimet në Shqipëri. Ai u shpreh se ishte nder për grupin që ata përfaqësojnë të ngrenë lartë emrin e kompanisë ajrore Albanian Airlines, që ata kanë blerë nga Grupi Al Kharaf dhe se “emri shqiptar në këtë kompani i bën ata edhe më të përgjegjshëm për cilësitë e investimeve dhe shërbimeve që do të ofrojnë, nëpërmjet zgjerimit të biznesit të tyre”. Atmosfera mikpritëse shqiptare edhe në fushën e biznesit, theksoi Princi, më ka bërë të ndihem shumë mirë në vendin tuaj”, thuhej në njoftimin e ATSH-së.

“Presidenti i Grupit të kompanive EVSEN, Dr. Ali Evsen, u shpreh se blerja e linjës ajrore Albanian Airlines është hapi i parë në programin e madh investues që ata kanë bërë si kompani, për Shqipërinë. Ai i prezantoi kryeministrit portofolin e aktiviteteve që ata mbulonin në vende të ndryshme. Krahas biznesit në transportin ajror, grupi operon në sektorin industrial të prodhimit, si kondicionerë, televizorë, montim automjetesh, edhe në fushën e ndërtimit, si dhe në atë të fibrave optike, thuhet në njoftimin e ATSH-së.

Lidhjet me familjen Berisha

Bizneset e ofruara nga grupi Evsen duket se kanë partnerë njerëz të afërt të kryeministrit Berisha. Një kompani e konsideruar si pjesë e bizneseve të familjes Berisha ka nisur çarjen e rrugëve kryesore të Shqipërisë nga veriu në jug, përfshi dhe autostradën e Kombit, duke shtruar kabëll optik, një nga rekomandimet e kompanisë Evsen.

Po ashtu, në fushën e ndërtimit dhe industrisë së bardhë ky grup kishte hedhur hapat e para të bashkëpunimit me biznesmenë të Berishës.

I lidhur ngushtë me botën arabe dhe Azerbaxhanin, ky biznesmen qëndron pas shumë operacioneve financiare për privatizimet strategjike në Shqipëri dhe në planet pë investimet në energjetikë. Ai po ashtu është garanti i kredive nga bota arabe që Berisha shpreson të marrë për të shtyrë pak më tej krizën financiare që i ka rënë në derë.

Prokuria fillon të lëvizë

Prokuroria shqiptare ka bllokuar rreth 3 milionë euro llogari bankare të biznesmenit Ali Evsen, pronar i kompanisë Albanian Airlines, e cila vepron prej vitesh në Shqipëri.

Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se filloi hetimet kryesisht pas arrestimit të biznesmenit turk në Spanjë, ku akuzohet se ka kryer veprën penale të pastrimit të parave në bashkëpunim me një ish-bashkëpunëtor të ngushtë të ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak.

Pas nisjes së hetimeve prokuroria shqiptare ka verifikuar në banka ku ka gjetur transaksione të shumta dhe të dyshimta të kryera nga Ali Evsen. Për këtë shkak është vendosur ngrirja e llogarive të tij bankare në Shqipëri me qëllim ndalimin e tjetërsimit të tyre.

Hysein Selam, djali i tij Khaled dhe biznesmeni me veprim në Shqipëri, Ali Evsen ranë në pranga në periferi të Madridit të premten. Bashkëpunëtori i Gadafit dyshohet se ka përdorur shtetasin Ali Evsen për të pastruar rreth 32 milionë euro.

Nuk është e sigurt se si do të reagojë Berisha, por e sigurt është se ai po vihet në mbikqyrje nga shërbimet e huaja për lidhjet e tij misterioze me këtë tip bizneseni që po vihet nën akuzë për pastrim të miliona eurove. Të vetmit financues në këtë situatë të vështirë Berishës i kanë mbetur milionerët e dyshimtë arabë, të cilët perëndimi po i arreston kudo që po i gjen, për shkak të lidhjeve të tyre me regjimet e korruptuara arabe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›