KQZ miraton projekt-aktin që shpall fitues Bashën
Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar projekt-aktin që shpall fitues kandidatin e mazhorancës, Lulzim Basha.
Projekt-akti është miratuar me katër vota pro të anëtarëve të mazhorancës në KQZ dhe me dy vota kundër të opozitës.
Përfaqësuesit e PS-së në KQZ kanë thënë se nuk mund të votojnë një projekt-akt të tillë, kur procesi u deformua në mënyrë të rëndë.
Basha është shpallur fitues me 93 vota më shumë kundrejt rivalit të tij Rama, por ai nuk mund të quhet ende kryebashkiaku i ri, duke qenë se Partia Socialiste do ta ankimojë këtë vendim të KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor.
Përfaqësuesit e PS-së kanë bërë me dije se gjatë këtij procesi janë vënë parregullsi të shumta, të cilat kanë ndikuar në mënyrë direkte në garën për fituesin e bashkisë së Tiranës.
Tashmë e gjithë beteja do të përqendrohet në Kolegjin Zgjedhor, nga i cili pritet një vendim nëse Basha do të jetë kryebashkiaku i ri, apo nëse zgjedhjet për Tiranën do të përsëriten.