I bëri bashkë ish kundërshtarët
Edhe pse kohë pas kohe ka hedhur kritika të shumta si ndaj pushtetit ashtu edhe ndaj opozitës, filozofi, publicisti dhe eseisti i njohur Shkëlzen Maliqi i bashkoi në një vend politikanët e të dy grupeve politike. Shkak i këtij takimi qe përurimi i librit “Shkëlzen Maliqi – dialog me Baton Haxhiun”, që u mbajt të enjten në hotel Victory në Prishtinë. Në këtë përurim, midis tjerash, ndodhi edhe diçka që pakkush arriti ta besonte.
U përshëndetën dy ish kundërshtarët më të mëdhenj të zgjedhjeve komunale të vitit 2009. Isa Mustafa ia shtriu dorën Astrit Salihut, i buzëqeshën njëri tjetrit e madje i shkëmbyen edhe disa llafe. Përpos tyre, të pranishëm qenë edhe figura tjera nga bota e politikës, artit dhe biznesit. Një ndër ta qe edhe zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli.
Duke folur për librin, Baton Haxhiu tha se libri realisht ka dy autorë.
“Në të vërtet, meritën e përshkrimit dhe gjithë asaj që është në libër e ka Shkëlzen Maliqi.
Xenit mund t’i them se ajo që ka shkruar është jo vetëm një shkrim për një pjesë të njerëzve ose të atyre që kanë përjetuar gjithë atë që ka ndodhur në ish Jugosllavi dhe në Kosovë, por për gjeneratat tjera të cilat mund ta mësojnë historinë përmes një personazhi”, tha Haxhiu.
Ai më këtë rast zbuloi edhe diçka tjetër. Në këtë ditë Maliqi i kishte mbushur 64 vjet.
Për librin foli edhe filozofi Astrit Salihu. “Unë jam sonte shumë i nderuar që të flas për një intelektual të veçuar të Kosovës për një arsye të thjeshtë sepse në vitet e tetëdhjeta, atëherë kur unë dhe disa shokë të mi ishim ende të rinj dhe belbëzonim për dilemat tona politike, për dilemat tona që të shprehim pakënaqësinë tonë, përnjëherë dëgjuam një zë, i cili mund të themi se ishte zëri i parë i shpresës për gjeneratën tonë që fliste dhe thoshte gjëra që shumëkush as nuk i mendonte”, tha Salihu. Ai evokoi kujtime të shumta të asaj kohe.
“Më kujtohet sa ishim të entuziazmuar aso kohe kur Shkëlzen Maliqi i shkruante shkrimet e tij dhe ballafaqohej me nacionalizmin serb. Mua më kujtohet kur Shkëlzen Maliqi filloi të nxjerrë një revistë për kulturë që ishte e përdyjavshme dhe më kujtohet kur për çdo të enjte ishim të lumtur se do ta kemi para vetës me espresson edhe revistën ‘Fjala’ me përmbajtjet e reja që i sillte aso kohe”, tha Salihu.
Shkëlzen Maliqi theksoi se libri përfshin periudhën prej viteve gjashtëdhjetë deri në vitet nëntëdhjetë. “Jemi përpjekur t’i sqarojmë disa gjëra që sot ndoshta duken, të them ashtu në parim, si kallep ose si diçka që askush nuk e reflekton sinqerisht ose i marrim me paragjykime”, tha Maliqi.
Libri, i cili është botuar nga Universiteti Europian i Tiranës, ka 255 faqe dhe përmban edhe një parathënie të publicistit Henri Çili.