FFK, thirrje shtetit
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të premten ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku në veçanti ka diskutuar për refuzimin që i ka bërë FIFA kërkesës së tyre për zhvillimin e ndeshjeve miqësore
Ata konstatuan se kërkesa e tyre u refuzua shkaku i ndërhyrjeve politike. Për këtë shtëpia e futbollit ka kërkuar që tani të ndërhyjë edhe politika kosovare, derisa kanë paralajmëruar hartimin e një strategjie të re për ndërkombëtarizim.
“Komiteti Ekzekutiv është i vendosur që të vazhdojë me angazhime edhe më të mëdha duke kërkuar ndërhyrjen edhe të politikës dhe Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim. Po ashtu, shumë shpejt do të hartohet një strategji e re për ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, duke bashkërenditur veprimet të gjithë faktorët relevantë”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga FFK-ja.
Ndërsa ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i FFK’së, Eroll Salihu, ka thënë për Express se në strategjinë e re për ndërkombëtarizim do të kërkohet ndihmë edhe nga ambasadorët e akredituar në Prishtinë.
FFK ashpërson dënimet ndaj gjyqtarëve
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka marrë vendim t’i ashpërsojë dënimet ndaj gjyqtarëve që gabojnë në ndarjen e drejtësisë nëpër ndeshjet e futbollit, me qëllim që të rritet cilësia e referimit.
Gjyqtarët që do të vlerësohen me notë të dobët (1), përveç që do të dënohen me pesë ndeshje mosdelegim, pas vuajtjes së dënimit do të delegohen në dy ndeshje të Ligës së Dytë dhe në tri ndeshje të Ligës së Parë për t’u rikthyer aty ku ishin.
Ndërsa, gjyqtarët që vlerësohen me notën 2, pas vuajtjes së dënimit prej tri ndeshjeve mosdelegim, do të delegohen në dy ndeshje të Ligës së Dytë dhe dy tjera të Ligës së Parë. Dënimet e njëjta do t’u shqiptohen edhe kontrollorëve të ndeshjeve.