Pse-të e ligjit për dosjet

Një nga shkrimet e mia të fundit, ku shtjellova disa nga arsyet se pse në Shqipëri, sipas meje, nuk do të hapen dosjet seriozisht, me drejtësi dhe përgjegjshmëri, e mbyllja duke shkruar se çështja e ditës lidhur me këtë temë nuk është a do të hapen apo nuk do të hapen, a është më mirë të hapen apo jo dhe as sesi duhet të hapen, por pse dhe për ç’arsye bëhet kjo zhurmë, pse u hap përsëri ky debat. I kisha premtuar lexuesit, që në shkrimet pasardhës do të përpiqesha t’i jepja përgjigje kësaj pyetjeje. Më duhet të pohoj se bizantinizmi dhe irracionliteti i politikës shqiptare edhe kësaj here i tejkalon mundësitë e një analize që tenton të gjejë racionalen dhe një përgjigje të qartë për një pyetje si kjo. Madje, veçanërisht në një çështje si kjo, ku fshehtësia e së sotmes plekset me fshehtësinë e së djeshmes dhe fshehtësia e së djeshmes me atë të së sotmes, duke e dendësuar terrin, më duket se puna e analistit bëhet shumë e vështirë. Kështu që do të mbetem në fushën e hipotezave.
Përpara se të hyj në hipoteza, më duket me vend të vë në dukje se kësaj here, iniciativa e rindezjes së çështjes së dosjeve dhe e bërjes së ligjit për hapjen e tyre na erdhi nga mazhoranca dhe jo nga opozita, siç, mesa kujtoj, erdhi herën para kësaj. Prandaj, analiza e shkaqeve duhet përqendruar tek dinamikat brenda mazhorancës.
Më duhet të them se, personalisht, jam skeptik ndaj njërit prej varianteve të hedhur në shtyp: atë se gjithë kjo zhurmë u inskenua enkas, me mendje të ftohtë, për të harruar Gërdecin dhe se, në përgjithësi, sa herë hapet kjo temë, bëhet për të harruar ndonjë gjë tjetër. Kjo, sipas meje, do të thotë të ngatërrosh pasojën me shkakun. Ka dy arsye që më bëjnë ta shoh me dyshim këtë hipotezë. Së pari, sepse politikanët tanë nuk i shoh të jenë aq racionalë sa të arrijnë të bëjnë me mendje të ftohtë plane të tilla llogaritëse. Makar sikur ta kishin këtë aftësi, se kjo do t’i bënte shumë më koherentë dhe më të pagabueshëm e nuk do të kishim as Gërdecin kësisoj. Ata më duken më së shumti të dominuar nga pasione personale të ditës, të nxitura nga luftëra, shpesh personale apo klanore, për pushtet, të kombinuara me interesa përfitimesh materiale dhe me një paqartësi për sa u përket vizioneve afatgjata dhe pasojave afatgjata të veprimeve apo mosveprimeve të tyre. Së dyti, nëse do të mendojmë se gjithçka është bërë kështu, me kalkulim mendjeftohtë, atëherë kjo presupozon të paktën që Berisha, i cili duhet të hamendësohet si një nga protagonistët kryesorë të këtij projekti, të kishte një grup bashkëpunëtorësh të besuar, me të cilët të bënte plane në prapaskenë me besim të plotë tek njëri-tjetri. Mua nuk më rezulton se Berisha ka një grup të tillë të të besuarish. Politikanët shqiptarë, jo vetëm Berisha, në traditën e udhëheqjes komuniste, nuk kanë dhe nuk ndërtojnë dot marrëdhënie me njerëz të besuar me të cilët flasin sinqerisht dhe bëjnë plane të përbashkëta. Marrëdhëniet e tyre bazohen në hierarkinë vertikale të pushtetit dhe të interesave të ndërsjella, kryesisht të përfitimit dhe përgjithësisht janë hipokrite, të pasinqerta dhe servile, përpos që janë jodemokratike. Ai që është në krye ka të gjithë kontrollin dhe përgjegjësinë dhe rrethohet nga njerëz që i shërbejnë, që i thonë atë që do të dëgjojë, por jo nga miq të vërtetë, me të cilët edhe të mund të konsultohet e t’u dëgjojë fjalën për të ndërruar mendje. Edhe të ashtuquajturat “plane” kundër të tjerëve apo për të fituar diçka, mbi këtë lloj psikologjie mbështeten. Kjo vlen edhe për ato raste, kur dikush ka lidhje joinstitucionale me një politikan, të ashtuquajtura miqësore apo të ndikimit. E gjithë afera e Gërdecit sesi është nisur dhe sesi po bitiset, më duket se është një ilustrim i kësaj. Pra, e kam vështirë të besoj, ndonëse nuk e përjashtoj në mënyrë absolute, se Berisha apo dikush tjetër së bashku me një grup njerëzish në bashkëpunim, janë mbledhur diku dhe kanë thënë: si të bëjmë që të harrohet Gërdeci? Le të hapim edhe një herë muhabetin e dosjeve, se kjo është një nga temat që e trullos menjëherë opinionin publik.
Jam i prirur të besoj, gjithë duke mbetur në fushën e hipotezave, se gjërat janë zhvilluar ndryshe dhe për të tjera qëllime. Kësaj here, rihapja e plagës së dosjeve, - që, siç e kam thënë shpesh, ekziston nën lëkurën e shoqërisë sonë, pavarësisht nga shkaqet që e ngacmojnë të shpërthejë herë pas here, lidhet me rivalitetin midis grupimeve të ndryshme në PD dhe më konkretisht do të thosha me konfliktet që kanë lindur midis PD-së dhe presidentit Topi kohët e fundit. Ky më së shumti është shfaqur në publik si konflikt midis Topallit dhe Topit, duke mbetur e paqartë se sa Topalli ka vepruar nga vullneti i vet dhe se sa ajo është shprehëse e vullnetit të Berishës, të cilit në këtë rast duket qartë se i intereson në mos goditja, nënshtrimi pa kushte i Topit. Ajo që mund të themi me siguri, është se kemi parë qartë se Topalli veproi kundër Topit më anë të ish-të përndjekurve, duke shfrytëzuar gabimin e pafalshëm të Topit që shkon e dekoron për “merita në drejtësi” njerëz që, në një demokraci normale dhe shtet të së drejtës, sot do të duhet të ishin prapa hekurash, për krime kundër drejtësisë. Është e vështirë të thuash nëse iniciativa e hapjes së dosjeve erdhi nga i nj&e