E Martë, 3 Nëntor 2026

I dënuar me mbi 10 vite burg, kapet në hyrje të Shqipërisë 50-vjeçari, do ekstradohet drejt Turqisë

Merr fund arratia e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia bën me dije se ka vënë në pranga një 50-vjeçar të dënuar nga autoritetet turke me 10 vite e 2 muaj burgim për prodhim dhe shitje të narkotikëve.

50-vjeçari Mehmet Akman u kap në hyrje të Shqipërisë me qëllim ekstradimin në Turqi.

“Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas masave për të shtuara për përballimin e fluksit, kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kufitare.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Korçë dhe si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk: Mehmet Akman, 50 vjeç, lindur në Turqi dhe banues në Holandë”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›