I dënuar për korrupsion në zgjedhje, mbetet në fuqi dënimi me 1 vit burg i ish-kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla

Ka marrë formë të prerë dënimi me 1 vit burg për ish-kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, pasi Gjykata e Lartë vendosi të mos pranojë rekursin e paraqitur prej tij, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga relatori Genti Shala, me anëtarë Ilir Pandën dhe Albana Boksin.
Memolla, i cili po vuan dënimin në burgun e Rrogozhinës, u shpall fajtor për korrupsion në zgjedhje, akuzë për të cilën u dënua si në shkallën e parë, ashtu edhe në Apelin e Posaçëm.
Pas vendimit të Apelit të Posaçëm, të dhënë më 9 shkurt 2026, ai u vetëdorëzua pranë Policisë dhe më pas u transferua në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Çështja ndaj tij u regjistrua pas publikimit të një audio-përgjimi, ku Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë, dëgjohej duke i kërkuar një punonjësi të OSHEE-së të mos i ndërpriste energjinë elektrike një abonenti debitor.
Në të njëjtin proces penal u dënuan edhe Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani me nga 1 vit burg secili, ndërsa Isuf Tosku u dënua me 1 vit e 4 muaj burg, dënim që u konvertua në shërbim prove
/rtsh.al/