Sot Dita e Ashures, Baba Mondi: Njerëzimi ka nevojë për më shumë paqe dhe dhembshuri

Besimtarët bektashinj kremtuan sot Ditën e Ashures, një nga ditët më të rëndësishme në kalendarin bektashi, që shënon fundin e dhjetë ditëve të zisë në përkujtim të Imam Hysenit dhe 72 dëshmorëve të rënë në Luftën e Qerbelasë.
Me këtë rast, në ceremoninë e zhvilluar në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi), përcolli urimet për besimtarët dhe apeloi për më shumë paqe, mirësi dhe solidaritet në një kohë të trazuar për botën.
Në fjalën e tij, Baba Mondi theksoi rëndësinë e mbështetjes së ndërsjellë dhe ruajtjes së vlerave të familjes dhe besimit, duke shprehur lutje për të gjithë ata që vuajnë nga konfliktet dhe luftërat.
“Le të mbështesim njëri-tjetrin dhe të ruajmë vlerat e familjes dhe besimit. Lutjet tona shkojnë për ata që vuajnë nga luftërat. Sot njerëzimi ka nevojë për më shumë paqe dhe dhembshuri. Zoti i ndriçoftë zemrat me urtësi dhe të forcojë frymën e vëllazërisë mes kombeve. Zoti na ndriçoftë mendjen në këto ditë që po përjetojmë. Zoti na bekoftë të gjithëve. Amin!”, u shpreh Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.
Dita e Ashures për besimtarët bektashinj është një moment reflektimi, lutjeje dhe kujtese për sakrificën, drejtësinë dhe vlerat e solidaritetit njerëzor.
/rtsh.al/