I dënuar për prostitucion në Itali, arrestohet në Rinas shqiptari me 5 emra

Një 41-vjeçar është arrestuar në Rinas, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për prostitucion. Ai ishte dënuar nga një Gjykatë në Milano me mbi 4 vite burg.
Në pranga u vu 41-vjeçari me 5 emra Auron Hashani alias Auron Samurri alias Auron Ajdinaj alias Avni Ajdinaj alias Elvis Ajdinaj, me qëllim ekstradimin në Itali.
Ai ishte pjesëtar i një grupi kriminal që shfrytëzonte për prostitucion shtetase të huaja gjatë periudhës 2008-2012 në Milano. 41-vjeçari në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka shfrytëzuar për prostitucion në Milano, 2 shtetase të huaja.
Gjykata e Milanos e ka dënuar 41-vjeçarin, me 4 vjet, 2 muaj e 26 ditë burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në kuadër të grupit kriminal, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/