I dënuar për vrasje, dërgohet në Regjimin e Posaçëm “41-bis” Altin Kodra

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Ditën e sotme është vendosur në Regjim të Posaçëm (41-bis) në burgun e sigurisë së lartë për një afat prej 1 (një) viti, pranë burgut të Peqinit, i burgosuri Altin Kodra.
Kalimi i tij në këtë regjim u bë nëpërmjet urdhrit “Për vendosjen në regjim të posaçëm të të drejtat në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë, të të burgosurit Altin Kodra” të Ministrit të Drejtësisë.
Altin Kodra është dënuar me 22 vjet burgim më 10 qershor 2008, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
Gjatë kohës që ka qenë duke vuajtur dënimin, ai është dënuar edhe për vepra të tjera penale. Më datë 11 tetor 2012 me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, është dënuar për kryerjen e veprës penale “Largim nga vendi i qëndrimit”.
Po ashtu, është dënuar në dy raste të tjera, me vendim të formës së prerë datë 02.07.2021 dhe datë 04.05.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”.
Regjimi i posaçëm “41-bis” është një masë për të burgosurit që janë të përfshirë në veprime të rënda penale, si pjesëmarrës në grupe të strukturuara kriminale, organizata kriminale, banda të armatosura ose organizata terroriste. Ky regjim është një masë për sigurinë e lartë dhe për individët me statusin e të paraburgosurit.
/a.f/r.e/