E Diel, 1 Nëntor 2026

I dënuari tenton të vetëdigjet. I vë flakën qelisë

Brenda pak minutash janë marrë masat për të shpëtuar të dënuarin, si dhe për të parandaluar ndonjë tragjedi të mundshme në burg. Sipas burimeve brenda burgut i dënuari tentoi vetëdjegien pas një zënke me gardianët. 

TIRANE- Një i dënuar me 18 vjet burg për vrasje, ka tentuar të vetëdigjet në burgun e Fushë-Krujës. Për fat të mirë është ndaluar në kohë nga gardianët. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 të ditës së djeshme, kur forcat e policisë së burgut kanë pikasur se nga qelia ku ndodhej Bledar Tuna, po dilte tym. Brenda pak minutash janë marrë masat për të shpëtuar të dënuarin, si dhe për të parandaluar ndonjë tragjedi të mundshme në burg. I kontaktuar në telefon, kreu i burgut të Fushë-Krujës, Saimir Mulgeci u shpreh se "i dënuari Tuna vuan nga çrregullime mendore, por për fat të mirë, ndërhyrja në kohë e gardianëve bëri që ai të mos kishte asnjë komplikacion". "Është e vërtetë se në qelinë e të dënuarit ra zjarr, por ngjarja është aksidentale dhe jo e qëllimshme nga ana e të dënuarit. Ne morëm masat e menjëhershme. Ndërpremë rrymën elektrike për të parandaluar ndonjë shpërthim. Gjithashtu në qeli hynë dhe zjarrfikësit, të cilët bënë të mundur shuarjen e flakëve. I dënuari, për fat të mirë shpëtoi pa ndonjë lëndim dhe po mbahet nën mbikëqyrje të rreptë nga gardianët dhe psikologët e burgut", - sqaroi Mulgeci. Por, të tjera burime thanë për Gazeta Shqiptare se i dënuari tentoi vetëdjegien pas një zënke me gardianët. Në fakt, nuk është hera e parë që i dënuari Tuna tenton vetëdjegien në qeli. Gati një vit e gjysmë më parë ai i vuri flakën qelisë së burgut të Sigurisë së Lartë Peqin, pasi shumë nga të dënuarit, për shkak se ai vuan nga çrregullime mendore, refuzonin të qëndronin në të njëjtën qeli me të. Por edhe atëherë, për fatin e tij të mirë u shpëtua nga vdekja. Bledar Tuna nga Tirana, është dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e Lulzim Xhanit në zonën e Kombinatit, në vitin 1997. Ai u arrestua pak vite më parë në Kukës teksa fshihej pas emrit të të vëllait, Lorenc Tuna. Për një kohë të gjatë Tuna ka jetuar në Angli me identitet të rremë, ku dhe rezulton i dënuar për tentativë vrasjeje. Por sapo u rikthye, përfundoi në qeli.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›