E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dërguari i OKB-së Kofi Anan viziton Pekinin

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan, do të udhëtojë drejt Pekinit, pas vizitës në Moskë. Në kryeqytetin rus, Anan ka kërkuar mbështetjen e Rusisë për planin e tij, i cili, përveç të tjerash, përfshin armëpushimin, tërheqjen e forcave të Qeverisë siriane nga qytetet, si dhe qasjen e grupeve humanitare.
 

Presidenti në largim i Rusisë, Dimitri Medvedev, ka thënë se Anan ka mbështetjen e plotë të Moskës, duke shtuar se mund të jetë shansi i fundit për të shmangur luftën civile në Siri.
 

Rusia dhe Kina u kanë vënë veto dy rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonin gjakderdhjen në Siri dhe kërkonin largimin e presidentit Bashar al-Asad, por Moska, ashtu si edhe Pekini kanë mbështetur deklaratën e Këshillit të Sigurimit, e cila mbështetet tek plani i Ananit.
 

Në Siri, aktivistët thonë se forcat besnike të Asadit kanë bombarduar me sulme të njëpasnjëshme Homsin. Sipas burimeve të njëjta, 27 persona kanë humbur jetën.
 

Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna që prej marsit të vitit të kaluar. Kombet e Bashkuara thonë se mbi 8,000 njerëz, shumica nga ata civilë, kanë humbur jetën në një vit trazira.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›