I destabilizuari i opozitës e sheh krizën si mundësi për shkrimin e librit “Kurban 2”
I ftohtë si një copë akulli, i pa ngjyrë si kristalet e dëborës, e papranueshme doli të ishte fjala e kreut të opozitës në ditën e dashurisë njerëzore. Dje, Edi Rama në vend të dashurisë njerëzore prodhoi urrejtje të skajshme verbale ndaj të kundërtit, dr. Berishës. E akuzoi me fjalë të pacipa e mohuese për ta mbuluar në një ortek pakënaqësie e zemërimi. Krijoi panik të panevojshëm me një konferencë për shtyp të znj. Kodheli, që lexoi buletinin e luftës së njeriut me natyrën. Sigurisht në këtë betejë fiton natyra. Njeriu i ngelet të vulosë humbjen. Kjo zonjë fiks si një qyqe vajtonte edhe vdekjen natyrore të njerëzve të moshuar që kanë shkuar në tjetër botë për arsye hyjnore. Si ka mundësi që luajnë një lojë të pamoralshme, pa rregulla zakonore, ku përmendet e keqja në fatkeqësi si ogur. Rama lëshon fjalë që qorrojnë shpresën dhe premtojnë të zezën.
Afërmendsh atij mospasja e pushtetit i amplifikon anët negative, i heq njerzillëkun, i fik emocionet e ngrohta. Për ngrohtësi kanë më shumë nevojë njerëzit në nevojë. Sigurisht jo për fjalë të mira dhe punë pak. Por për punë shumë dhe fjalë pak. Edi Rama nuk ka asgjë në dorë përveç fjalëve, që i përdor si bumerang për të thyer kafka. Prandaj turret të plotësojë nevojën për të sharë si plotësim i deficitit javor. Duke qenë bosh me një gjë duhet domosdoshmërish të plotësohet. Është varësia e nekropolitikës që e shtyn të prodhojë urrejtje sistematike ndaj qeverisë Berisha, pavarësisht kohës, motit dhe ditës. Ky është analfabetizëm emocional i dukshëm pasi nuk arrin dot të menaxhojë emocionet e veta dhe të tjerëve, dhe kjo implikon në pamundësinë për të kuptuar e pranuar, shpjeguar dhe ndryshuar emocionet e mykura.
Megjithatë është fjalë “krizë” që ka në kokë me të cilën etiketon çdo gjë pas fillimit të kursit të ri socialist. I është mbushur mendja që do t’i bindë shqiptarët të jenë në krizë. E gjithë propaganda mediatike afër së majtës është armatosur të nxijë maxhorancën me lloj shpikjes e sajesash banale. Flasin tmerre për rënien e shtetit në Tiranë, kurse shteti është mobilizuar me shtab emergjence në veri-lindje të vendit për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Sigurisht urrejtja verbëron dhe vështirë se shikon karvanët e kamionëve dhe gjëmimet e helikopterëve në gatishmëri numër 1.
Gjithashtu duket sikur detyra e opozitës të jetë ngjallja e një paniku me specifikimin e çdo fatkeqësie familjare të izoluar nga dëbora. Janë specifikuar edhe në propagandë shifrash të ngjyera me emocione primitive. Edhe pse thonë se bora e rënë është e paprecedentë deri në 2 metra lartësi prapë se prapë e kanë të vështirë të thonë një fjalë të mirë për qindra punonjës policie, ushtrie dhe shëndetësie në krye të detyrës. Janë gjithnjë të vonuar për t’u qëndruar pranë njerëzve në situatat emergjente. Të pa sinqertë dhe me zemër të ngrirë lëshojnë deklarata plot hile verbale që t’u hedhin njerëzve.
Sot do të njoftojë një plan mbrojtje, ashtu siç deklaroi dje, me 14 shkurt. Sot Rama do të deklarojë se me ardhjen e opozitës në pushtet nuk do të ketë më rënie bore e shiu sipas qejfit të atij atje lart..Ne nuk e njohim atë atje lart. Çdo gjë do të jetë e planëzuar. Këtë planëzim do ta gjeni në programin prej 1000 faqesh, në faqen e shtojcave, ose në mund ta lexoni në faqen e pasme të “Kurban 2”. Shqipëria do të rilinde vetëm përmes Kurbanit. Kjo është zgjidhja. Unë jam zgjidhja, tha Egoarku Rama.