E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës shpall të paligjshëm e të pavlefshëm referendumin serb në Veri

15-02-2012 / Gazeta 55

Kuvendi i Republikës së Kosovës e shpall të paligjshëm e të pavlefshëm referendumin serb kundër Kosovës në katër komuna veriore me drejtues zgjedhjesh të organizuara nga Beogradi.
Në një deklaratë të miratuar pak më parë theksohet mes tjerash se “Kuvendi i Republikës së Kosovës e kundërshton, e shpallë të paligjshëm e të pavlefshëm referendumin e strukturave paralele në komunat veriake të Kosovës të financuara e drejtuara nga Republika e Serbisë kundër pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.
Pro deklaratës është deklaruar edhe grupi parlamentar i Partisë Liberale të Pavarur (SLS), nga komuniteti serb.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasnqi pas votimit konstatoi se deklarata u miratua me 64 vota për, asnjë kundër e 9 abstenime. Në komentet e tij gjatë seancës së Kuvendit, para votimit, kryeparlamentari Krasniqi për strukturat paralele serbe në veri tha se “emri i tyre i vërtetë është agresion i Serbisë në një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.”
Gjatë debatit abstenimi në votim u paralajmërua nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kërkonte edhe disa plotësime në deklaratë, përfshirë zotimet dhe veprimet për sanimin e pasojave që mund të ketë referendumi.
Qeveria e Republikës së Kosovës dje në një deklaratë shprehte zhgënjimin dhe revoltën e saj të thellë për aktin e fundit të Serbisë lidhur me organizimin dhe mbajtjen e referendumit në pjesën veriore të vendit.
Qeveria theksonte se “ky akt ilegal i cili do të prodhojë një rezultat ilegal dhe të papranueshëm, në mënyrë të drejtpërdrejtë cenon sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Po ashtu, ky veprim ilegal i Serbisë është në kundërshtim më Kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare. Për me tepër, ky akt i fundit i Serbisë kundër Kosovës, dëshmon qartë ambiciet e sëmuara dhe pretendimet territoriale të Serbisë në raport me Kosovën”.
Referendumi serb “i deklarimit të qytetarëve se a i pranojnë institucionet e Kosovës”,  i cili u zhvillua dje dhe sot pason kundërshtimin e institucioneve legjitime kosovare atje edhe me barrikadat nëpër rrugë.
Shqiptarët në veri qëndrojnë të distancuar dhe larg këtij provokimi më të ri.
Reagime të ndryshme kosovare dhe ndërkombëtare janë shprehur edhe kundër barrikadave e edhe kundër referendumit në veri.
Ndërsa, një drejtues i strukturave ilegale serbe në veri ka deklaruar për median lokale serbe se referendumi në veriun e Kosovës qenka “dita më e rëndësishme në 100 vitet e fundit të historisë kosovare”.
“Referendum nën kërcënim”, ishte një nga titujt në shtypin e sotëm kosovar, ku thuhej se “është raportuar se radikalët serbë të veriut nuk kanë qenë të kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në referendum, prandaj edhe kanë kërcënuar banorët e atjeshëm se nëse nuk i përgjigjen pozitivisht thirrjes, atëherë nuk do t’i marrin pagat nga qeveria beogradase”.


Reagon Ministria e Jashtme: Është i paligjshëm, Beogradi financon strukturat paralele


Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar sot në lidhje me mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës duke e cilësuar atë si të paligjshëm. Në një deklaratë për shtyp MPJ-së thekson se po ndjek me vemendje zhvillimet në veri të Kosovës dhe shpreh shqetësimin për mbajtjen e referendumit, të organizuar nga strukturat paralele serbe dhe të frymëzuara nga Beogradi. “Ndonëse i paligjshëm dhe pa efekte juridike, ky referendum nuk i shërben aspak interesit të komuniteteve etnike për t’u integruar plotësisht në jetën sociale, ekonomike e politike të shoqërisë së Republikës së Kosovës”- thuhet në deklaratën e MPJ-së. Ministria thekson se mbajtja e këtij referendumi nuk i shërben as klimës së dialogut Kosovë-Serbi I cili është një proces i domosdoshëm për të zgjidhur çështje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës e Serbisë, dhe tregues cilësor i maturisë së tyre në procesin e integrimit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›