I djathti Kastriot kundër të majtit Islami
I ftuar tek emisioni Zonë e Lirë e Çanit, Kastriot Islami deklaroi se: Unë jam një ish i majtë që sdo kthehem më te e majta. Kastrioti zbuloi se kishte humbur kot 23 vite që ish angazhuar në krahun e majtë të politikës shqiptare. Ai bëri një ndërthurje se, e majta kudo në Evropë ka dështuar dhe kjo e ka bindur që të ndërrojë komplet ideologji dhe ti përkushtohet tani e tutje të djathtës. Dhe këtë e thotë pasi ka provuar më parë të qenurit deputet, ministër, zv/kryeministër dhe kryetar Kuvendi, si përfaqësues i krahut të majtë.
Kastrioti duhej që më parë të bënte një prapakthehu të fortë, ku të deklaronte se gjithë ky angazhim i lartë politik 23 vjeçar, ka qenë dështim personal për vet atë kudo ku ka drejtuar. Por, ai e përjashtoi veten në këtë pikë dhe dështimin ia mveshi ideologjisë së majtë në tërësi. Dështim që Kastrioti e zbuloi vetëm pasi u përfshi në listën e Berishës për deputet.
Askush nuk u bë me Partinë Socialiste sepse atëherë në PS ishte kryetar Fatos Nano. Aq më pak më vonë kur erdhi Edi Rama. Të qenurit i majtë apo i djathtë është një bindje personale e çdo individi që del absolutisht përtej çdo kryetari të radhës. Ajo është një përkatësi ideologjike e qartë që ngrihet në vlera dhe çështje të cilat i gjen në kahun politik te i cili beson.
Në ndryshim nga Kastrioti, kolegët e tij të së djathtës që kanë bashkëpunuar ndër vite me socialistët, kurrë skanë deklaruar se ndërrojnë ideologji. Ata kanë bashkëpunuar me të majtën, por duke ruajtur identitetin e tyre të djathtë. Dhe, me kalimin e kohës, janë rikthyer në gjirin e familjes politike nga ku edhe dolën.
Me këtë qëndrim, Kastriot Islami, për çfarëdolloj arsye të mëvonshme, nuk meriton më që të pranohet në familjen socialiste. Qoftë edhe në periudhën post Rama. Ai duhet konsideruar i përjashtuari i përjetshëm për Partinë Socialiste. Prototipi i këtij politikani, që të qenurit i majtë e ka të trashëguar në gjen, por që tani kërkon të ndryshojë ADN-në e vet për t’u dukur i djathtë në ideologji, është shembulli më kuptimplotë i sharlatanizmit politik, atij më të neveritshmit.
Vetëm një i konvertuar si Sali Berisha mund tia pranonte këtë kapërcim Kastriotit. Janë e njëjta prerje, që vijnë nga e njëjta mitër politike, në të njëjtën periudhë kur ndërroi sistemi dhe që bashkëudhëtuan e mbijetuar deri më sot. Pyetja që shtrohet është: Sa të gatshëm janë demokratët e vërtetë, ata që luftuan në diktaturë kundër komunizmit dhe ata të tjerë që ndjenë persekutimin e regjimit, që ta pranojnë si të djathtë Kastriotin? 23 qershori së pari dhe vetë koha kanë për ta treguar…
