E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ftohti siberian kthehet në Bulqizë, kyçen banorët

Bulqiza e mbuluar nga bora

Mblidhet Shtabi i Emergjencave: Komunat e Dibrës, 10 ditë të izoluara.

Banorët, të cilët dy ditët e fundit arritën të dilnin jashtë shtëpive, me qetësimin e përkohshëm të motit, dje janë detyruar të rimbyllen brenda, pasi stuhia e erës kufizonte dhe shikimin. Rinisja e reshjeve të dendura të borës ka mbledhur dje në këtë qytet, më problematiku në vend për këtë dimër, Shtabin e Emergjencave. Veç qytetit të Bulqizës është diskutuar për gjendjen e banorëve të komunave të thella të Dibrës, kryesisht ato në zonën e Gollobordës. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, prefekti Genci Sharku dhe deputetët e qarkut të Dibrës, Bedri Hoxha, Jemin Gjana dhe Selami Xhepa kanë diskutuar gjatë me drejtuesit e disa njësive vendore dhe drejtorë të institucioneve në këtë rreth për situatën e fundit, në veçanti për komunat Trebisht e Ostern, ku prej 10 ditësh ato janë të izoluara nga bora e rënë. Kryetarët e këtyre njësive, Fitim Balla e Razi Rami, thanë në linjë telefonike se nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë drejt qytetit të Bulqizës për të qenë të pranishëm në mbledhjen e parë të Shtabit të Emergjencave Civile, por kanë njoftuar të gjitha autoritetet e vendit, Kryeministrin Berisha, ministrin e Brendshëm Nishani dhe Drejtorinë e Emergjencave Civile se situata në këto njësi është kritike dhe se jeta e banorëve po vihet në rrezik. Në mbledhjen e djeshme të Shtabit të Emergjencave Bulqizë, nënprefekti Hamit Dervishi është shprehur se për fat të mirë nuk ka pasur emergjenca shëndetësore. Drejtori i rrugëve nacionale në Dibër raportoi se rikthimi i reshjeve, madje me intensitet gjatë orëve të pasdites, ka krijuar probleme serioze në lëvizjen e mjeteve. Më problematike, – tha Durim Balla, gjendja paraqitet nga Qafa e Buallit e deri te Pishat. -Mjetet borëpastruese hapin rrugën, era e fortë e rimbyll përsëri. Çdo një orë rruga bllokohet. Kanë mbërritur dy mjete të Ministrisë së Mbrojtjes, por për shkak të situatës së krijuar duhen edhe mjete të tjera, ndryshe gjendja do të vijë duke u renduar, theksoi ai. Ministri Tafaj u kërkoi të zgjedhurve vendorë dhe drejtorëve të ndërmarrjeve e institucioneve të evidentojnë familjet problematike dhe të ndihmohen me ushqime. Prefekti i qarkut të Dibrës, në rolin e kryetarit të Shtabit të Emergjencave Civile, tha se komunat Lurë, Sllovë, Selishtë, Kala e Dodës, Trebisht e Ostren janë ende të bllokuara për shkak të trashësisë së madhe të borës, e cila në disa fshatra është mbi dy metra. BULQIZE/ HASAN PASHA

Burrel, komunarët: Jemi të bllokuar
Shtabi i Emergjencave Civile u mblodh dje për rrethin e Matit. Kryetarë të njësive vendore, drejtorë të ndërmarrjeve dhe institucioneve kanë ngritur shqetësimet e tyre, por si më shqetësues kanë cilësuar bllokimin e rrugëve. Fshatrat Selixë, Ketë, Lami i Madh, Zallë-Gjoçaj, Vinjollë, Frankth mbeten ende nën mbretërinë e borës dhe akullit. Sipas kryetarit të Xibrit, Lufti Çeka, 500 familje në një fshat të thellë të kësaj komune jetojnë ditë mjaft të vështira. Kryetari i Rukajve, Hamit Xhakrosa, nënvizoi se e ka gjetur arkën e komunës bosh dhe se nga strukturat shtetërore nuk lëvrojnë para për situata emergjente. Ne hartojmë projekte, harxhojmë para për përgatitjen e tyre, ndërkohë nuk financohemi nga shteti as në raste emergjence, deklaroi kryetari i Lisit, Agim Selita. Ai shtoi se jeta e 400 nxënësve të Shkollës së Mesme të Bashkuar Lis vihet në rrezik pas rrëshqitjes së një masivi mbi shkollën e komunës. Sipas kryetarëve të organeve të qeverisjes vendore, janë më shumë se 10 raste kur janë konstatuar djegie të transformatorëve dhe CEZ nuk i zëvendëson ato, por konsumatorët i kanë blerë privatisht.              h.p

SHKODER: Era e fortë bllokon ndihmat
Pas një ndërprerjeje të shkurtër, rifillojnë reshjet e dëborës në qarkun e Shkodrës. Gjatë ditës së premte, i gjithë qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshet e dëborës, të cilat pasdite kanë qenë të pranishme edhe brenda në qytet. Pas një jave pushimi, në qytetin e Shkodrës janë rikthyer reshjet e dëborës. Ato kanë filluar rreth orës 15:30 dhe kanë vazhduar të shoqëruara edhe me erë. Reshjet kanë sjellë sërish probleme në akset rrugore, një pjesë e të cilave sapo ishte hapur. Të bllokuara mbetet sërish aksi i Iballës në rrethin e Pukës, si dhe aksi i SelcëVermoshi në rrethin Malësisë së Madhe. Në rrethin Shkodër (për komunat Shllak dhe Shalë), me gjithë përpjekjet e bëra për ti transportuar në rrugë ajrore ndihmat ushqimore të ardhura nga rezervat materiale të shtetit, operacioni nuk është realizuar si pasojë e kushteve tepër të vështira atmosferike. Ndërsa në rrethin e Pukës, gjatë ditës së djeshme kanë filluar procedurat e shpërndarjes së 300 pakove ushqimore nga nënprefektura nëpër komunat e izoluara. r.d

Ministri Nishani në Tropojë për situatën
TROPOJE – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ishte dje në Tropojë për të ndjekur nga afër situatën e motit. Ai udhëtoi nëpërmjet Rrugës së Kombit dhe pas inspektimit të saj, kaloi nëpërmjet pikëkalimit kufitar të Morinit. Më pas ministri kaloi në Prizren, në Gjakovë, për të mbërritur në Bajram Curri. Të njëjtin itinerar ka ndjekur edhe në kthim. Ne jemi në gatishmëri të plotë me forca dhe mjete për të përballuar çdo situatë në rajonin tuaj. Baza e helikopterëve është në gatishmëri për çdo emergjencë shëndetësorë apo nevojë që do të kenë banorët e izoluar. Problemi kryesor duhet të jetë mbajtja e rrugëve të hapura, si ato nacionale, ashtu dhe ruralet, në mënyrë që të mos izolohen zonat e banuara dhe të mos shkëputet komunikimi mes qendrave, u shpreh ministri Nishani. Sipas tij, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Emergjencave Civile janë gati të nisin dhe operacionet humanitare për të shpërndarë miell, ushqime e ilaçe aty ku ka nevojë. Kryetarët e njësive vendore, në bashkëpunim me Shtabin e Emergjencave duhet të listojnë njerëzit që kanë nevoja për ushqime, veshmbathje apo ilaçe. Ne jemi gati të nisim operacionin si nga toka, ashtu edhe nga ajri, u shpreh më tej ministri Nishani, pasi u njoh me situatën e krijuar në rajonin e Tropojës.
Reshjet e dëborës kanë rinisur duke bërë që deri në mbrëmje trashësia e saj të rritet edhe me 10 cm të tjera, duke arritur gati në 1.5 metra në mjaft zona të thella.   j.h

Rrugët e bllokuara
.    B.Curri – Valbonë
.    Krumë – B. Curri
.    Bushtricë – Kala e Dodës në drejtim të Peshkopisë
.    Shëmri – Qafë Shllak
.    Topojan – Shishtavec
.    Arras – Zall Dardhë – Reç
.    Stëblevë – Librazhd
.    Arras – Lurë
.    Fushë Arrës – Qafë Mali- Qafë Shllak
.    Bogë – Theth, Selcë – Vermosh
.    Akset në drejtim te Dukagjinit
.    Qafë-Mali – Dardhë – Fierzë
.    Fushë-Arrës – Iballë
.    Librazhd – Bulqizë

Ngrijnë tubot e ujit, banorët i shkrijnë me zjarre
Në shumë pallat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›