E Diel, 1 Nëntor 2026

Balliu: Replikë me Zenelin, Ramiz Alia më ka hequr nga puna

TIRANE-Fahri Balliu, botuesi i gazetës “55” në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare” ka replikuar me ish-sekretarin personal të Ramiz Alisë, Guro Zeneli si dhe ka sqaruar raportet e tij me kryeministrin, Sali Berisha.
Z.Balliu, në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Guro Zeneli, ish-sekretari personal i Ramiz Alisë, ka rrëfyer se në periudhën kur ju keni punuar si korrenspondent i “Zërit të Popullit” në Pogradec, ndaj jush me porosi të Alisë është iniciuar një proces verifikimi. Shkak sipas Zenelit ka qenë marrja e një informacioni se ju korruptonit jo vetëm shefat tuaj por edhe njerëzit e nomenklaturës. Si qendron e vërteta?
Një histori e tillë nuk e di nëse ka ndodhur vërtet apo nuk ka ndodhur. Përdorimi i saj ishte shumë i gabuar nga ana e Gazetës dhe vetë autori i atij shkrimi, pra Guroja, më mori mua në telefon dhe nuk ishte i kënaqur me konotacionin që i kishit dhënë asaj.
Pra për ju kjo nuk është një ngjarje e vërtetë?
Për mua ishte hera e parë që e dëgjova atë punë. Unë di që nga Ramiz Alia jam hequr nga puna. Dhe jam i vetmi që jam hequr nga Ramiz Alia nga puna.
Ndërkohë Guro Zeneli thotë në intervistën e tij se çështja juaj u mbyll për shkak se Ramiz Alia gëzonte ndaj jush një simpati të veçantë?
Puna e atij.
Pra mohoni që ai t’ja u ketë “falur”?
S’ka falur gjë ai. S’gjeti gjë si duket. Përdorimi i asaj që ka thënë Guroja është e shëmtuar. Tani disa gazetarë që nuk punojnë në gazetën tuaj ndjejnë kënaqësi pse u sulmova unë. Këto janë turpe fshati. Ndaj redaksitë shqiptare duhet të çlirohen nga fshatarizmi, provincializmi sepse provincialët dhe fshatarët janë të frustruar dhe duke qenë të frustruar gjithë dhimbjet e tyre i derdhin dhe i shfryjnë mbi të tjerët. Unë kam botuar shkrim me analizë kundër meje. E kam botuar në gazetën time. Dhe nuk është ky debati, nuk e prish kjo punën, klimën mes gazetarëve, profesionalizmin. Por e prish kur ti bëhesh shënjestër me shpifje politike. Dhe unë shpeshherë jam bërë target i këtyre sulmeve politike. Kjo është e turpshme.
Si mendoni, pse pikërisht ju bëheni target i këtyre sulmeve që ju i cilësoni si politike?
Sigurisht kur je një botues dhe ke një gazetë të përditshme tashmë 15-vjeçare si gazeta “55” merr pjesë në frontin e luftës politike. Lufta politike në Shqipëri dihet që ka momente të caktuara që del nga kontrolli normal i funksionimit të saj. Nuk përplaset idetë por njerëzit dhe në këtë furtunë që ndërtohet përfshihen shumë aktorë të cilët marrin pjesë. Një nga ata jam edhe unë. Dhe unë në gazetën time prej 15 vjetësh kam bërë kritika të ashpra. Të dokumentuara veçanërisht për shfrytëzimin e arkivit të periudhës komuniste dhe gazeta ka marrë një pozicion shumë të rëndësishëm. Ka themeluar institucionin e “akuzës” për veprimtarinë kriminale anti-kombëtare komuniste të periudhës që kaloi. Kjo bën që ti menjëherë të kthehesh në shënjestër të këtij grupimi që trashëgon filozofinë, financat, mentalitetin, lëndën njerëzore, njerëzit të cilët edhe në atë kohë kanë punuar në prokurori, punojnë edhe sot, edhe në atë kohë kanë punuar në Sigurim, punojnë edhe sot në SHISH, edhe në atë kohë kanë qenë gjykatës, janë edhe sot, edhe në atë kohë kanë qenë në strukturat e drejtësisë, janë edhe sot. Kështu që detyrimisht me këta njerëz do të kesh një përplasje. Pra arsyeja kryesore është qëndrimi i gazetës për periudhën, i mbështetur kjo edhe nga libri “Zonja e zezë” ku përfshihen shumë personazhe. Dhe e gjithë epoka e asaj periudhe, qoftë në gazetë, qoftë në botimet e mia si shtëpi botuese “55”, qoftë në librat e mi, ka kaluar në një filtër dhe në një skaner që nuk e ka bërë ndonjë institucion tjetër. Prandaj duke qenë se ne e kemi bërë me konseguencë këtë, detyrimisht që kemi marrë përsipër edhe zjarrin e tyre, të cilët përfitojnë në momente të caktuara, deformojnë titujt, deformojnë faktet, apo iu japin konotacion aktual fakteve që se kanë apo kanë të bëjnë me shpifje të mirëfillta.
Media që ju drejtoni, gazeta “55”, në gjithë këto vite a ka botuar lajme të pavërteta? Sepse në fakt ju jeni akuzuar jo vetëm nga politikanë, kryesisht të majtë por edhe nga kolegë tuaj gazetarë për shpifje apo botim lajmesh të pavërteta...
Unë jam përpjekur që emrat e atyre që i kam përmendur në gazetë me kritika, me akuza apo me dokumenta, këto pikëpamje të mia t’i mbroj edhe në gjyq. Madje kam shkuar me qejf në gjyq. Në 136 padi gjyqësore që unë kam patur gjatë 8 vjetëve të opozitës apo gjyqe që vazhduan edhe më pas unë kam humbur vetëm 1 gjyq. Është një kualitet shumë i lartë ky apo jo? Nga 136 gjyqe, vetëm 1 i humbur. Dhe e dini pse? Sepse unë kam paraqitur fakte dhe dokumenta. Ne kemi bërë skanimin e revoltave popullore të periudhës së ‘97 dhe unë kam përmendur me dhjetra emra. Kam patur 85 padi gjyqësore dhe s’kam asnjë ndëshkim sepse jam ballafaquar në gjyq me ato. Pra unë nuk them të mos ketë kritika apo akuza në shtyp për një person apo për një fenomen por ai duhet të jetë në një shkallë të tillë që t’i rezistojë gjykatës, t’i rezistojë të vërtetës. Shqipëria është aq e vogël sa që ti mund të thuash gjithë ditën që filani është kështu apo ashtu por njerëzit e njohin dhe e dinë. Konseguenca në luftën kundër sistemit dhe trashëgimisë komuniste ëhstë një tipar shumë i lartë qytetërimor, që atë e ke vetëm nëse je i pastër, je intelektual i mirëfilltë dhe ke guximin e së vërtetës. Unë personalisht e media që drejtoj e kanë vërtetuar gjithë këtë që po them. Ato kanë marrë vlerësime të brendshme, kombëtare e ndërkombëtare.
Kur thoni të vërtetën atëhere pse duhet t’ju sulmojnë? Një akuzë e bërë ndaj jush edhe nga gazetarë madje, lidhet me afërsinë tuaj me pushtetin, veçanërisht për miqësinë personale që ju keni me kryeministrin Berisha. Sa e cënon miqësia juaj me Berishën raportin me pasqyrimin apo raportimin e lajmeve të vërteta në median që ju drejtoni?
Unë shquhem dhe e konsideroj një nga tiparët më themelore të një njeriu dhe të një intelektuali konseguencën mbi pikëpamjet e tij, mbi preferenca e tij. Unë që në fillim jam angazhuar në lëvizjen demokratike. E kam mbështetur këtë parti, kam mbështetur lidershipin e saj, kam mbështetur me bindje intelektuale reformat që ajo ka ndërmarrë, të gjithë platformat e ndryshimin që ky lidership ka realizuar për shqiptarët. Unë bëj pjesë tek njerëzit që e vlerësojnë futjen në politikë, rezistencën dhe rolin e Sali Berishës. Sali Berisha është personalitet historik. Gjithë të tjerët janë nëpunësa shteti, partie, njerëz që i sjell lumi si gurët, drurët dhe sëndykët. Kurse ky njeri dëshmoi që nga ’91 se ka vetëm kurbë ngritjeje. Këtë e dëmshoi në sytë e mi edhe kur për të tjerët ai ra. Dhe shumë njerëz që kanë punuar me të, kanë marrë benifice të larta, janë bërë ministra, janë bërë presidentë, kanë gjesdisur botën, kanë bërë shtëpi, kanë rritur fëmijët me bursa, kanë marrë para, kanë fituar, kanë marrë vlera që s’i kanë merituar dhe pastaj janë kthyer kundër tij. Unë s’kam marrë asnjë gjë nga këto. S’kam marrë asnjëherë asnjë post. Dhe tërë ky llum që ka ikur nga Sali Berisha dhe që është i shpërndarë nëpër poret e mediave, politikës e tavolinave furnizohet me një urrejtje dhe me shpifje kundër Fahri Balliut sepse ai është pasqyra ku ata përplasen. Ata kanë qenë ministra, ata bënin komplimentat edhe kur Sali Berisha nuk e kishte mirë dhe ata bëjnë sot partiçka apo njeriun që bën gjoja disidentin. Ata janë të lidhur thjesht me një çështjeje lugë çorbe. Kur nuk e ke ngrënë atë lugën e çorbës nuk do ta dish as për prokurorinë kur bën shpifje, as për një gazetar mashtrues, ordiner dhe jo profesionist. Unë kam qenë, jam dhe do të jem i hapur për çdo lloj përplasjeje qoftë në media, qoftë në gjykatë. Vajtja në gjykata në një ekonomi tregu është krejt normale. Shpifja është një mbeturinë mesjetare, ndikim i ligjit themelor të komunistëve, agjitacion-propagandës. Këta nuk mund të pranojnë që ti t’i kritikosh, që ti të thuash atë që ata e fshehin dhe gjithçka që bëhet, qoftë edhe në rastin tim është agjitacion-propagandë. Unë kam qenë dhe do vazhdoj të jem konseguent në luftën kundër krimit komunist dhe trashëgimtarëve të tyre.
U shprehët pak më lart se e keni mbështetur dhe vijoni ta mbështetni me bindje të plotë Berishën. Çfarë keni përfituar në këmbim? Të mos harrojmë që emri juaj është përmendur në disa afera korruptive të denoncuara shpeshherë në media duke ju cilësuar në jo pak raste edhe si sekser të tij...
E kam mbështetur me konseguencë, pa asnjë përfitim. Zero përfitim, zero, zero. Zero përfitim në biznese. Madje me sakrifica dhe me luftë për t’i mbajtur në këmbë këto media dhe ka shumë prej atyre që e dinë mirë sesa e madhe dhe e fortë është kjo luftë. Po këto dy konseguenca të bëjnë automatikisht shënjestër. Këto janë shënjestrat për shkak të politikës. Ka edhe një shënjestër tjetër që është papërgjegjshmëria e botuesve në thithjen e gazetarëve. Mjafton të gjejnë gazetarë që mbështesin një ide të caktuar të botuesit dhe ky gazetar ka të drejtë pastaj të quhet i mirë ose i zoti. Këtu me thënë të drejtën nuk është se edhe unë nuk kam gabuar në kaq vite por më vjen keq që vazhdojnë të bëhen ende këto gabime. Nuk mund të pranohen gazetarë që bëjnë kompromise për të pavërtetën vetëm nga një fjali e pronarit. Ka një kufi dhe nuk është normale midis kolegësh. Është një nga turpet e gazetarisë shqiptare sulmi mes kolegësh. Ai që e mbolli këtë luftën midis kolegëve është sot gazetari kryesor i furnizimit të Ramës me idetë socialiste.
Cili është ky gazetar?
Ai që dikur ishte djathtisti themelor dhe ai që sot është majtisti themelor. Ai e futi në gazetën e tij luftën midis kolegëve. Është një turp. Por koleg nuk mund të quhet çdo njeri që punon në gazetë. Ai koleg mund të quhet kur është vërtet gazetar, ka artikuj të vërtetë dhe jo pse vetëm ka një bordero në gazetë. Çështja e së vërtetës është çështje integriteti personal, çështje e standardit të shoqërisë dhe përderisa standardi i shoqërisë lejon spekulime të tilla, qoftë majtas, qoftë djathtas por kryesisht majtas sepse ajo është e ushqyer që në themelin e saj me shpifjen, atëhere ne gazetarët duhet të reagojmë. Komunistët kur nuk vrasin vjedhin. Dhe kur nuk vjedhin, shpifin. Janë tre cilësitë themelore të revolucionit. Dhe kjo gjë në Shqipëri duhet të mbyllet, duhet të marrë fund njëherë e mirë. Është krejt normale që dikush ta kundërshtojë dhe dikush tjetër ta mbrojë, Sali Berishën. Nuk ka asgjë të keqe. Unë me disa prej tyre që e kundërshtojnë, Sali Berishën ja po aq mik sikundër jam me disa të tjerë që e mbështesin sepse është debat për ide, debat analistësh.
Pra ju mohoni që të keni përfituar diçka falë përdorimit të miqësisë suaj me kryeministrin Berisha?
Asnjë zero mbështetje.
As në bizneset tuaja?
Unë nuk kam asnjë biznes veç këtyre. Unë nuk di të bëj asnjë punë tjetë veçse të shkruaj, të bëj gazetë dhe libra dhe kam zero zero biznes. Kurrë ndonjëherë në jetën time nuk kam bërë cënimin më minimal të një ligji. Kurrë ndonjëherë në jetën time nuk kam kërkuar ndonjë gjë të paligjshme. Kurrë ndonjëherë në jetën time nuk kam krijuar ndonjë lloj lidhjeje e cila prek ligjin, Shqipërinë dhe luftën që unë pasqyroj. Kurrë nuk i kam bërë. Kurrë nuk i bëj. Kurrë nuk do t’i bëj. Koha është treguesi më i mirë. Ne duhet t’i japim fund provincializmit, shpifjes dhe gënjeshtrave. Nëse është e vërtetë le të jetë e rendë. Nëse s’është e vërtetë ajo është më e rëndë se një vrasje. Ky është një nga karakteristikat themelore të psikoetnisë sonë që një gjë të pavërtetë burri e ka më të rëndë se plumbi. Këto nuk e kuptojnë se kur shpifin dhe gënjejnë bëjnë një akt po aq kriminal se ai që del vret në rrugë. Madje ai që vret merr 25 vjet burg dhe ikën kurse ky mbetet një kolerë, një SIDA. Shpifja është SIDA. Shqipëria ka qenë dikur një shtet që shpifte për Amerikën, për të gjithë botën, për gjithçka dhe tani të vazhdosh këtë traditë është një turp shumë i madh edhe politikisht edhe estetikisht dhe intelektualisht.
Ju nuk e keni bërë në të kaluarën? Pra që të shpifni ndaj kolegëve gazetarë apo qoftë edhe ndaj politikanëve të majtë?
Kurrë. Këtu ka të majtë e të djathtë. Unë kam zgjedhur këtë pozicion. Ju mund të keni zgjedhur një pozicion tjetër. E drejta juaj. Unë sërish ju respektoj sepse unë kam shumë respekt për njerëzit që flasin hapur. Por të spekulosh meqë nuk të pëlqen Sali Berisha kjo nuk është normale. Sali Berisha është kryeministër i votuar, nuk është ilegal. Nëse do ta rrëzosh shko rrëzoje në Parlament ose me votë. E ka gabim kush mendon se duke shpifur njeri për Fahriun do pësojë gjë Saliu. Më vjen shumë keq që nuk del dot e qeshura në gazetë. Por më vjen të qesh për ata që mendojnë kështu. Ky është një turp. Aq naiv janë. Ka një tablo të periudhës së rilindjes italiane që e ka titullin “Shpifja”. 500-vjet përpara ata e kanë sulmuar shpifjen. Sulmi kundër shpifjes është sulmi më i madh dhe më i vlefshëm qytetërimor, për parimin e një shoqërie dhe për standartin e një intelektuali. Nuk duhet shpifur. Nëse ke gjëra për atë debat politik bëj sa të duash, shpifje mos bëj.
Një koment për debatin lidhur me ndryshimet në Kodin Penal dhe atë Civil për “shpifjen”...
Nuk jam specialist nga pikëpamja ligjore. Por unë di këtë që shpifja është një gjë e panegociueshme, ekstremisht e dënueshme. Rritja e standardit të shoqërisë, shpifësit çdo ditë e më shumë po i nxjerr në anë të detit, tek ato bizhdilet. Në këtë kuptim mendoj se ka ardhur koha që më shumë të punojë shoqëria me të gjithë asetet që ajo ka në funksion sesa puna e një burgu. Madje në këtë aspekt nuk di ndonjë që ka hyrë në burg për shpifje. Mjerë ai që beson se shpifja është armë. Ajo është mjerim i vërtetë intelektual dhe profesional. Shpifësi më i madh në historinë e atlasit botëror është Enver Hoxha. Nuk ka njeri që ka shpifur sa ai, ai shpifte për Rilindjen, për historinë, ai shpifte për klasën politike, të vjetër apo të re, ai shpifte për botën, për gjithçka, ai shpifte për shokët, për fëmijët e shokëve, për të gjitha. Duan t’i mbajnë ison Enver Hoxhës, le t’ja mbajnë.
Z.Balliu, ju drejtoni edhe shtëpinë botuese “55”. Çfarë pritet të nxirrni në treg?
Jam shumë i angazhuar me botimet. Së shpejti do të hyjnë në shtyp librat me kujtime të Xhorxh Ë.Bushit, Laura Bushit, Dik Çenej, Donald Ramsfeld. Kjo është një kolanë shumë interesante që evokon tërë ngjarjet dhe tërë atë periudhë të rëndësishme në historinë moderne amerikane por edhe të botës. Është edhe libri i Vaslav Havelit dhe një për Ataturkun. Janë edhe 20 libra të tjerë të rëndësishëm. Ndërkohë është botuar në Rumani, libri “Berisha përmes kasandrave”, me titullin “Berisha dhe demokracia” që është libri im i katërt që botohet në Bukuresht.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›