E Shtunë, 31 Tetor 2026

I fundmi i tranzicionit

Eno Bozdo

Debati mbi tranzicionin shqiptar, apo më mirë mbi faktin nëse Shqipëria e ka kaluar apo jo fazën e tranzicionit të saj shoqëror dhe politik dhe ka hyrë në fazën e një demokracie të pjekur, përfaqësuese dhe institucionale, sigurisht nuk është një debat me përgjigje të fundme dhe të menjëhershme. Ndërsa vendi bën përpara në axhendën e tij të integrimit fakte gjithnjë e më të shumta mbështesin tezën se Shqipëria e ka mbyllur përgjithësisht fazën e saj të tranzicionit. Vetë fakti i anëtarësimit të plotë në NATO është ndoshta certifikata më e mirë që vërteton se Shqipëria gëzon një shtet ligjor e të së drejtës, me institucione dhe lidership të ligjshëm.
Megjithatë, tranzicioni në vetvete nuk është thjesht dhe vetëm prova e ekzistencës së institucioneve demokratike, zanafilla e të cilave starton me zgjedhjet të lira e të ndershme. Fare mirë një vend mund të ketë institucione demokratike, që sanksionon shtetin ligjor dhe të së drejtës (sanksionuar në Kushtetutën e vendit). Vendi mund të ketë gjithashtu edhe institucione funksionale, garante të ligjit dhe të drejtësisë. Por në të njëjtën kohë, koncepti i tranzicionit është gjithashtu ngushtësisht i lidhur me klasën politike, me mentalitetin, pjekurinë dhe aftësinë e saj për t’iu përshtatur rregullave të demokracisë, për të respektuar institucionet e ligjshme si dhe shtetin ligjor.
Nëse do të mund të shtyhemi më tej në këtë logjikë, pa kërkuar “gjendjen e perfeksionizmit” në arsyetimin tonë, edhe ekzistenca e dy kushteve të sipërpërmendura (që do të thotë shumë) nuk plotëson automatikisht të gjitha kushtet e një tranzicioni të përfunduar. Një element i tretë në këtë kontekst është padyshim shoqëria civile: ajo pjesë e shoqërisë e paangazhuar politikisht dhe që nuk është përfaqësuese e institucioneve të pavarura. Me fjalë të tjera, tesuti social nga i cili burojnë të gjitha: jo vetëm mentaliteti, trashëgimia dhe kultura qytetare, por edhe rrjeti mendor i neuroneve që përbëjnë atë që quhet opinion publik. E veçanërisht “opinioni publik” është barriera e fundit, por në të njëjtën kohë shumë e rëndësishme, e cila mban trenin e shtetit ligjor në shinat e parapërcaktuara nga Kushtetuta dhe që nuk e lejon atë të dalë jashtë shinave dmth në tranzicionin e rrezikshëm pa limit kohor. Nëse analizojmë këta tre elementë, këtë trekëndësh kushtesh të domosdoshme për ekzistencën e një shoqërie që ka dalë nga tranzicioni, do të shikojmë që eventualisht kushti i parë (shteti ligjor dhe i së drejtës) dhe ai i tretë (ekzistenca e shoqërisë civile aktive) janë përgjithësisht të plotësuar: Shqipëria ka tashmë institucione demokratike kushtetuese dhe madje edhe një tesut shoqëror, i cili edhe pse është në formëzim e sipër, përsëri ka ditur të luajë një rol në të ardhmen e vendit si dhe ka ushtruar presion pozitiv mbi sistemin për ta mbajtur atë brenda konturit të lejuar. Deri në vitin 2005 Shqipëria kishte dhe përfaqësonte një problem të madh me paaftësinë e saj për të organizuar zgjedhje të drejta e të ndershme, çka është në thelb simptomë e mosekzistencës së institucionit primar: ai i mekanizmit të zgjedhjeve, të cilat reflektojnë në përbërjen e Parlamentit dhe formimin e ekzekutivit. Në vitin 2009 Shqipëria ia doli të organizojë dhe të ndërtojë mekanizmin e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira. Procesi i zgjedhjeve u certifikua nga trupat më të larta certifikues të njohura, pavarësisht detyrave që ata lanë për përmirësimin e mëtejshëm. Por çfarë mund të themi për komponentin e dytë? A ka vendi një klasë politike përfaqësuese të përgjegjshme? Me sa duket, problemi ynë më i madh në këtë rast janë përfaqësuesit e përvetshëm të klasës politike, e veçanërisht në çastin kur ata jo vetëm që janë indiferentë ndaj sistemit, por edhe tentojnë të dalin jashtë sistemit nëpërmjet aksionit politik të organizuar. Rasti apo “fenomeni Rama” është një përfaqësues tipik i kësaj simptome, e cila shfaqet dhe rishfaqet në mënyrë periodike përgjatë viteve të fundit. Megjithatë asnjëherë ky fenomen nuk është shfaqur me këtë ashpërsi apo instransigjencë sa çfarë u shfaq gjatë vitit 2009 e në vazhdim. Për shkak të pozicionit drejtues që zt. Rama ka në politikën shqiptare, modeli i tij domosdoshmërisht sjell një impakt edhe në dy faktorët e tjerë të një shoqërie funksionale dhe demokratike: në atë të ekzistencës së institucioneve të shtetit ligjor dhe në atë të ekzistencës së shoqërisë civile aktive. Veprimet e zt. Rama janë shumë të koordinuara. Nga njëra anë ai sulmon sistemin institucional të ngritur: kujtojmë këtu sulmet drejt KQZ, hostilitetin verbal ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor, mosnjohjen e dokumentit thelbësor, Kushtetutën apo edhe vendimet shumë të rëndësishme dhe po kaq të detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese. Por kjo është vetëm njëra pjesë e sulmit te tij. Pjesa e dytë i takon përdorimit pa princip të mediave që ndodhen shumë afër tij, një mënyrë përdorimi që shkon deri në abuzivitet. Me anë të këtyre mediave zt. Rama atakon komponentin e tretë të shtetit të së drejtës, shoqërisë civile. Duke e bombarduar vazhdimisht me të pavërteta apo me gjysmë të vërteta, trillime por edhe shpifje, sot opinioni publik (lexo shoqëria civile) ndodhet nën trysninë e fortë të propagandës kundërshtuese dhe nihilizuese, të cilën (duhet pohuar) zt. Rama e ka ngritur në një art të vërtetë. Kjo propagandë kundërshtuese dhe nihilizuese nuk është thjesht dhe vetëm antiqeveritare. Kjo do të ishte deri diku gjysma e të keqes. Por kjo propagandë është për fat të keq anti-vizë, anti-ekonomi, anti-dokumenteve identifikues, anti-status kandidat etj.. Kjo propagandë ka synim kryesor jo thjesht injektimin e të pavërtetës dhe trillimit, por dyzimin e opinionit publik, për ta bërë atë të mendojë se ka dy të vërteta, ka dy standarde, ka dy perceptime e kështu me radhë.
Pikërisht me anë të këtij aksioni politik zt. Rama përvijohet si përfaqësues tipik i një shoqërie që nuk e ka mbyllur tranzicionin e saj, sepse një pjesë e politikes (që ai përfaqëson) është infektuar me sindromin e tranzicionit, i cili fare mirë mund të përkthehet si sindrom i problematikës së vazhdueshme, zvarritjes dhe stresit të përhershëm. Pra, është e kotë të rendisim argumentet pro dhe kundër qenies së Shqipërisë në tranzicion. Do të mjaftojë sjellja e një individi përfaqësues të politikes shqiptare, alias zt. Rama, për të kuptuar se ngërçi i fundit gjendet pikërisht tek ai vetë. Duke qenë i aftë t’i imponohet strukturës politike që drejton, me përjashtim të disa zërave të ndryshëm, zt. Rama do të vazhdojë ta mbajë vendin në këtë tranzicion derisa injeksioni i tij verbal kundër institucioneve dhe kundër shoqërisë civile të mos kenë më fuqinë, apo ndoshta kur këto dy komponentë të kenë formuar antikorpin për t’i bërë ballë virusit të tranzicionit që zt. Rama po injekton prej më se një viti. Për fatin tonë të mirë, të gjitha shenjat po e tregojnë se një gjë të tillë po ndodh. Por derisa kjo çështje të marrë fund, zt. Rama mbetet “i fundmi i tranzicionit shqiptar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›