Kë bind?
Kryeministri Berisha ka pasur disa sfida këtë vit, përballja me të cilat do të diktojë shumë për të ardhmen e tij në politikën shqiptare. Sfida e parë dhe më e rëndësishme ishin zgjedhjet e 8 Majit. Komuniteti ndërkombëtar para zgjedhjeve ngushtoi lakun duke theksuar se zgjedhjet janë përgjegjësi e qeverisë shqiptare, dhe paralajmëruan se ato do të kenë ndikim në axhendën evropiane të Shqipërisë. Zgjedhjet përfunduan dhe Sali Berisha pësoi një humbje spektakolare në gjithë vendin, por grabiti mandatin e Tiranës.
Berisha nxitoi ti vetëvlerësonte zgjedhjet duke quajtur historik vendimin e Kolegjit të turpshëm Zgjedhor për Tiranën dhe duke quajtur fitore, humbjen qytet më qytet në gjithë Shqipërinë.
Por kë bindi?
Bashkimi Evropian ju përgjigj qartë përmes Baroneshës Ashton. Vendimi i Kolegjit nuk na bindi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ashtu. Diplomatët e tjerë perëndimorë në Tiranë si ambasadori danez apo dikush tjetër e kanë quajtur të paimagjinueshme atë që ndodhi me ndryshimin e rregullave pas lojës. Pas zgjedhjeve të vitit 1996, për herë të parë komuniteti ndërkombëtar vlerëson me përshkrim negativ zgjedhjet në Shqipëri si një shans i humbur për qeverinë shqiptare. Sali Berisha nuk arriti të bindë askënd me grabitjen e mandatit të Tiranës. Ai humbi zgjedhjet, humbi standardin e tyre dhe njollosi përfundimisht Lulëzim Bashën si një manekin që përdoret për të vjedhur, për të vrarë dhe për të manipuluar zgjedhje. Ai është i pari kryebashkiak i Tiranës, që hyn në bashki me mandat të vjedhur dhe të etiketuar si të tillë jo vetëm nga shqiptarët, por dhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Sfida e dytë e Berishës ishte kriza ekonomike. Ai ngeli duke folur lart e poshtë nëpër fshatra të Shqipërisë që ne kryesojmë rritjen ekonomike në Evropë. Është cinizëm i tepruar tu tregosh të uriturve ëndrra me pasuri, por Berisha nuk e ka problemin aty.
Por kë bind me suksesin ekonomik?
Rrogat e administratës realisht janë ulur në raport me inflacionin. Pensionet po ashtu me shtesën simbolike prej 50 lekësh, nuk balancojnë as gjysmën e uljes reale që kanë nga zhvlerësimi i lekut. Bizneset janë futur në kolaps dhe kreditë e këqija po rriten dita- ditës si një gogol për ekonominë shqiptare. Dhjetë biznesmenë të mëdhenj, të cilët kanë marrë gjithë punët dhe paret e qeverisë, nuk paguajnë asgjë për buxhetin se janë miq të Berishës, të gruas tij, të vajzës apo djalit tij dhe ndonjë dhe i Bodes. Ata qarkullojnë thuajse 40 për qind të pareve të buxhetit për investime publike dhe spaguajnë asgjë se janë miq të Familjes. Njëri përdor fotografinë me gruan e Berishës, tjetri darkat dhe drekat në TV Klan, tjetri miqësinë me Familjen dhe paret e shqiptarëve, që duhet të shkojnë në buxhet, shkojnë në xhepat e tyre. Ata i mbajnë seanca spirituale Berishës për rritjen ekonomike, por vendi është në buzë të greminës. Bizneset më të mëdha në vend sot nuk kanë likuiditete, dhe ata biznese që janë gjallë po mbahen me klering. Ata në fakt e besuan një herë Berishën kur u tha që Shqipëria është parajsë turistike dhe fuqi energjetike dhe vrapuan të gjithë e blenë toka e morën licenca hidrocentralesh, por sot skanë më pare të paguajnë rrogat dhe jo më të jenë superfuqi. I vetmi që nuk vrapoi të blinte toka dhe të merrte licenca hidrocentralesh, por të shiste toka dhe të shiste licenca hidrocentralesh ishte zëvendëskryeministri Ilir Meta, dhe ai duket që ka një rritje të ndershme ekonomike. Në deklaratën e pasurisë së tij janë shtuar një apartament 400 mijë euro në Bllok dhe një vilë dykatëshe 317 metra në Gjirin e Lalzit që vlen nja 500 mijë euro të tjera. Kjo është rritje befasuese ekonomike, por jo e Shqipërisë, por e atyre që e zhvasin atë.
Një sfidë e përhershme e Berishës mbetet pasuria e Familjes së tij. Për tu treguar modest dhe cinik deri në fund, në pasurinë e tij ka deklaruar se janë shtuar 2800 euro nga dietat dhe udhëtimet jashtë vendit.
Por kë bind me këtë?
Vajza e tij është detyruar të deklarojë një apartament të ri 200 mijë euro nga të ardhurat e burrit, që është në punë shteti, dhe djali i tij është detyruar të deklarojë një shtesë prej 150 mijë euro të ardhurash si sekser tokash. Ndoshta Berisha do të na bindë se nuk është kryeministër me fat, por është baba me fat që ka fëmijë aq të zot që bëjnë para dhe për babain. Por as për këtë sna bind dot. Dhe ka një arsye të thjeshtë. Fëmijët e tij nuk guxojnë të bëjnë biznes legalisht, nuk guxojnë për shembull të ngrenë një linjë prodhimi, të bëjnë një fabrikë, të hapin një biznes ndërtimi apo diçka tjetër. Nuk e bëjnë se biznesi në Shqipëri nuk të jep më para, por vetëm telashe. Ata bëjnë para vetëm si fëmijë të Sali Berishës. Ndryshe nga pushtetarët e mëparshëm të Shqipërisë, po ashtu hajdutë, fëmijët e Sali Berishës nuk duhet ti paguash për të të dhënë mundësi të bësh ndonjë biznes, por duhet ti paguash për të të lënë rehat në punën tënde. Janë thjesht njerëz që kanë marrë peng këtë vend në emër të Atit të Shenjtë. Ndaj askush nuk ia beson dot as lekët e dietave, të cilat janë sa një biletë biznes klas, që merr e bija e tij uikendeve për në Perëndim.
