E Shtunë, 31 Tetor 2026

I jepet lamtumira e fundit regjisorit Ibrahim Muçaj

Tiranë, 5 Janar NOA - Artistë, kolegë dhe miq i dhanë sot në mesditë lamtumirën e fundit në ambientet e Teatrit Kombëtar regjisorit të njohur Ibrahim Muçaj i cili u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare pas një ataku kardiak, duke i marrë kinematografisë shqiptare, një nga emrat më të shquar të saj.

Mes figurave të njohura të artit dhe Kulturës edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj bëri homazhe në nderim të veprës dhe personalitetit të papërsëritshëm artistik të Ibrahim Muçajt. Firmën e tij mbajnë një seri filmash, që renditen në fondin e artë të kinemasë shqiptare. Muçaj lindi më 8 dhjetor të vitit 1944, në Vlorë. Në moshë fare të re, ai ka realizuar filma mjaft të suksesshëm, duke bashkëpunuar me emrat më të mirë të aktrimit shqiptar, si Tokë e përgjakur (1976), Dimri i fundit (1976), Nusja dhe shtetrrethimi (1978), Liri a vdekje (1979), etj. Gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar ngushtë me regjisorin Kristaq Mitro, me të cilin ka realizuar një numër të madh filmash. Të tjerë filma që mbajnë firmën e Muçajt janë Dëshpërimisht (2000), Një djalë edhe një vajzë (1990), Telefoni i një mëngjesi (1987), Duaje emrin tënd (1984), Apasionata, Njeriu i mirë (1982), Në prag të lirisë (1981).Gjithashtu është autor i një sërë dokumentarësh. Gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe në funksione të larta si drejtor i AlbaFilm Studio, drejtues Projektesh në Qendrën Kombëtare Kinematografike Shqiptare, një kontribut të çmuar ka dhënë edhe në fushën e mësimdhënies, si pedagog në degën e regjisë skenike, pranë akademisë së Arteve. e.r/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›